Arifi: Mogherini nuk u largua nga takimi me Haradinajn, mediat serbe kanë spekuluar

Arifi: Mogherini nuk u largua nga takimi me Haradinajn, mediat serbe kanë spekuluar

Mediat serbe, si zakonisht në bazë të ‘burimeve’ brenda BE-së, kanë raportuar se shefja e Diplomacisë Evropiane, Frederica Mogherini, është larguar nga takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj sot në Bruksel.

Sipas burimeve jo zyrtare të agjencisë serbe Tanjug, të cilës i janë referuar jo pak media edhe nga Kosova, arsyeja që Mogherini kishe dalë nga takimi ishte se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar prani të SHBA-së në dialogun me Serbinë.

Mirëpo, shefi i stafit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, i tha lajmi.net se një lajm i tillë nuk është aspak i vërtetë.

“Këto lajme janë absolutisht të pavërteta, Mogherini nuk është larguar nga takimi me kryeministrin Haradinaj”, tha Arifi për lajmi.net.

Arifi i cili ishte së bashku me Haradinajn në Bruksel, tha se takimi me Mogherinin është zhvilluar deri në fund dhe të gjitha takimet kanë përfunduar mirë.

“Takimi i kryeministri me Mogherinin është zhvilluar deri në fund. Të gjitha takimet kanë qenë të mira dhe kanë përfunduar shumë mirë”, deklaroi ndër tjera ai.

Por, pse u anuluar konferenca e paralajmëruar për shtyp në selinë e BE-së në Bruksel, në të cilën do të flisnin përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Kosovës? Arifi tha se u është thënë se kanë probleme më agjendë, e jo për arsye të raportuar në mediat serbe.

Ndër tjera, Arifi ka thënë se përfaqësuesit e BE-së nga pala kosovare kanë dëgjuar realitetin e Kosovës në mënyrë të drejtë, të sinqertë dhe pa rezerva.