Argumentet e kontestuara që u përdorën për ta kërkuar shfuqizimin e aktakuzës ndaj Hasanit

Argumentet e kontestuara që u përdorën për ta kërkuar shfuqizimin e aktakuzës ndaj Hasanit

Imuniteti funksional ka qenë një prej pikave në të cilat është thirrur mbrojtja për ta liruar nga akuzat ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin. Por, ky argument ishte kontestuar nga Prokuroria Speciale dhe vetë gjykata të cilën e ka drejtuar ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është liruar nga akuzat për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, për të cilat dyshohej se i kishte bërë gjatë kohës sa ka mbajtur pozitën e të parit të kushtetueses.

Vendimi i Apelit është marrë gjatë kësaj jave, por nuk është bërë publik derisa të gjitha palët e përfshira në proces të pranojnë vendimin.

Insajderi ka mësuar se arsyeja e heqjes së aktakuzave ka qenë mungesa e provave se Hasani në fakt ka kryer veprën në fjalë.

Po ashtu, Insajderi ka mësuar nga burimet e veta se imuniteti funksional ka qenë një nga arsyet që mbrojtja i ka kërkuar me ngulm Gjykatës së Apelit që ta hedh poshtë aktakuzën ndaj tij është imuniteti funksional. Hasani gjatë tërë procesit ka pretenduar se gëzon imunitet funksional.

Mirëpo, Prokuroria Speciale, që kishte ngritur aktakuzën ndaj Hasanit në fillim të vitit 2016, i kishte propozuar Gjykatës së Apelit ta anulojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe të konstatojë se në rastin konkret i pandehuri Enver Hasani nuk gëzon imunitet funksional.

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale, veprimet për të cilat akuzohet Hasani nuk i ka ndërmarrë brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional.

Për më tepër, imuniteti funksional i zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese, institucion ky që është drejtuar nga vetë Hasani.

Me aktgjykimin KO98/11 të datës 20 shtator 2011, është theksuar se imuniteti funksional ka të bëjë me ushtrimin e autorizimeve ligjore e jo edhe me keqpërdorimin e këtyre autorizimeve apo shkeljen e ligjit, siç është rasti konkret për të cilin është ngritur aktakuza ndaj të Hasanit.

Bajram Tmava, avokat mbrojtës i Hasanit, ka thënë për Insajderin se ende nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar të gjykatës dhe në këto kushte nuk mund të komentojë lidhur me arsyet e hedhjes poshtë të akuzave.

Në anën tjetër, Arbër Jashari, zëdhënës në Gjykatën e Apelit, nuk ka dhënë detaje lidhur me arsyet e hedhjes poshtë të akuzave, por ka konfirmuar se gjykata pushuar procedurën penale ndaj Hasanit.

Enver Hasani akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kishte shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme pozitën zyrtare kur kishte vendosur për të nxjerrë një aktvendim për papranueshmëri lidhur me një kërkesë të ish-presidentes Atifete Jahjaga, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Kushtetuese.

Ai dyshohej se kishte shënuar të dhëna të rreme në një aktvendim për papranueshmërinë e asaj lëndë, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese. Por, Carolan nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.

Vendimi i Gjykatës së Apelit i jep fund rastit të Hasanit i cili u akuzua nga Prokuroria Speciale në fillim të vitit 2016./Insajderi.com