Arbitrazhi, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për demarkacionin

Është folur gjatë që Arbitrazhi mund të jetë mundësia më reale për tejkalimin e gjendjes politike në Kosovë për Marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Arbitrazhi, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për demarkacionin

Pas tërheqjes së Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës për shkak të mungesës së votave për ratifikim, Arbitrazhi Ndërkombëtar vlerësohet si zgjidhja e mundshme për problemin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

Derisa përfaqësuesit e koalicionit qeverisës po kërkojnë kompromis për tejkalimin e kësaj çështjeje, analistët dhe opozita e preferojnë Arbitrazhin si opsion të fundit për t’i dhënë fund marrëveshjes “kontroverse” me Podgoricën.

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës theksojnë nevojën e arritjes së konsensusit politik, ndërsa opozita dhe njohësit e kësaj problematike thonë se Kosova dhe Mali i Zi mund t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për ta definuar vijën kufitare në mes të këtyre dy shteteve dhe në këtë formë të përfundohet kriza njëvjeçare e shkaktuar nga nënshkrimi i marrëveshjes në Vjenë, më 26 gusht 2015, shkruan Zëri.