Arbitrazhi i Basketbollit merr një vendim drastik kundër KB Bashkimit

Në një vendim të Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), të cilin e ka siguruar Insporti, theksohet se KB Bashkimit i ndalohet transferimi i basketbollistëve.

Arbitrazhi i Basketbollit merr një vendim drastik kundër KB Bashkimit

Klubi i Basketbollit Bashkimi nuk ka qenë asnjëherë më afër titullit të kampionit të Kosovës në basketboll, sesa këtë vit. Por, gjasat e klubit nga Prizreni për titullin kampion mund të jenë zvogëluar sot pasi Tribunali i Arbitrazhit të Basketbollit i ka vendosur sanksione drastike.

Në një vendim të Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT), të cilin e ka siguruar Insporti, theksohet se KB Bashkimit i ndalohet transferimi i basketbollistëve.

Kjo ndalesë i është vendosur KB Bashkimit pasi klubi nga Prizreni nuk ka shlyer borxhin ndaj ish-lojtarit Eric Palm, i cili e ka ngritur këtë çështje në BAT. Amerikani kishte qenë pjesë e Bashkimit gjatë stinorit 2015/16.

“I referohem letrës sonë të datës 27 shkurt 2018 në të cilën FIBA ka ftuar klubin tuaj që të respektoj vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit. Megjithë ka kaluar afati i caktuar nga FIBA, 6 marsi, dhe çështja nuk është zgjidhur”, thuhet në njoftim-vendimin që FIBA i ka dërguar KB Bashkimit, Zyrës Rajonale të FIBA-s për Evropë dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Siç mëson Gazeta Online Insporti, Klubi i Bashkimit i kishte mbetur borxh rreth 12 mijë euro lojtarit amerikan, Eric Palm.

“Rrjedhimisht, në përputhje me komunikimet tona të mëparshme dhe nenin 3-335 të Rregulloreve të Brendshme të FIBA-s, FIBA me këtë rast i imponon sanksionet e mëposhtme në klubin tuaj: Ndalimi i regjistrimit të lojtarëve të rinj”, thuhet në letrën e FIBA-s, dërguar klubit prizrenas.

KB Bashkimi rrezikon sanksione edhe më të ashpra

Për të hequr këtë ndalesë, KB Bashkimit do t’i duhet t’i rikthehet sërish “çështjes Palm”, pasi duhet t’i paguajë basketbollistit amerikan borxhin e mbetur nëse dëshiron të çlirohet nga sanksionet e imponuara.

Madje, FIBA ka paralajmëruar klubin kosovar për sanksione edhe më të ashpra në rast se nuk zbaton vendimin e Arbitrazhit.

“Ndalimi do të hiqet sapo klubi juaj të zabtojë vendimin e BAT-it. Përndryshe, FIBA rezervon të drejtën për të imponuar sanksione të mëtejshme”, thuhet në njoftim-vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit Sportiv.

Nëse klubi prizrenas dëshiron të apelojë vendimin e Arbitrazhit, atëherë këtë duhet ta bëjë brenda një afati prej 14-ditësh. Vendimi mund të apelohet pranë Panelit të Apelit në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

Përveç KB Bashkimit, edhe KB Peja ka ndalesë në transferimin e basketbollistëve, sipas një vendimi të Arbitrazhit të Basketbollit të marrë muaj më parë. /Insajderi.com