Arban Abrashi nuk e njeh Shpend Ahmetin për fitues të zgjedhjeve

Arban Abrashi nuk e njeh Shpend Ahmetin për fitues të zgjedhjeve

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi nuk e njeh rezulatin e zgjedhjeve në Prishtinë që e shpallën fitues Shpend Ahmetin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ende është në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së.

Abrashi, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se prap do të insistojë në rinumërimin e votave, sepse sipas tij, vetëm rinumërimi do t’i korrigjonte “saktëson rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kryetar të Prishtinës!”.

“Ne jemi në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së, megjithatë, unë dua t’iu falenderoj nga zemra të gjithë ju 41879 votues për mbështetjen tuaj, juve që besuat në vizionin dhe programin tim për Prishtinën qytet të zhvilluar”, thotë Abrashi.

“Unë dhe ju, së bashku, insistojmë që rinumërimi të ndodh sepse ky proces do të hiqte çdo dilemë dhe do të ruante besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në rezultatin përfundimtarë të këtij procesi. Rinumërimi nuk cenon të drejtën e askujt, moslejimi i tij pa një bazë të qartë ligjore përkundër dëshmive tona ndërsa, cenon të drejtën time dhe të votuesve vota e të cilëve duket se është manipuluar.”

Sipas tij, “rinumërimi edhe në të kaluarën ka ndodhur në Kosovë, nga ky proces nuk ka nevojë të frikësohet askush. Prandaj në jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore që të realizojmë rinumërimi si mekanizëm i vetëm që korrigjon dhe saktëson rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kryetar të Prishtinës!”. /Insajderi.com