Arabia, në kërkim të “piratëve” që do ta bënin më të sigurtë Haxhin në Mekë

Arabia, në kërkim të “piratëve” që do ta bënin më të sigurtë Haxhin në Mekë

Në pritje të mbi 1.6 milionë myslimanëve që kanë nisur të mbërrijnë në Arabinë Saudite për pelegrinazhin e përvitshëm të Haxhit, në Mekë, mijëra programues dhe zhvillues kanë punuar fort për të ofruar ide të zbatueshme, të cilat do të mund të transformojnë imazhin e këtij rituali antik fetar.

Një i ashtuquajtur “hajj hackathon” u organizua këtë muaj në Jeddah, aty ku shpikës të shumtë garuan për një çmim në të holla që shkonte deri në 420 mijë dollarë, mes nxitjes prej autoriteteve të Mbretërisë arabe për përdorim më të gjerë të teknologjisë, në mënyrë që ta bënte pelegrinazhin një eksperiencë më të sigurt dhe më të gëzueshme për miliona besimtarët pjesëmarrës përvit.

Por, ndërkohë që organizatorët e Haxhit kanë përdorur prej vitesh teknologjinë për qëllime të caktuara, si për shembull simulimi në shkallë të gjerë për të parashikuar lëvizjen dhe fluksin e turmës, kjo sërish nuk i ka parandaluar aksidente si ai i vitit 2015, kur qindra pelegrinë humbën jetën si pasojë e rrëmujave dhe shkeljes mbi njëri-tjetrin.

Zyrtarët shpresojnë se, krijimi i mundësive për ide të reja nga jashtë qeverisë monarke do të mund të ofrojë zgjidhje inovative për probleme tejet të vjetra dhe komplekse.

“Shumica e aplikacioneve apo teknologjive ekzistuese të përdorura në Haxh, zakonisht kanë qenë të zhvilluara nga entitete qeveritare përgjegjëse për krijimin e këtyre teknologjive apo platformave”, tha Reda Banjar, kreu i zhvillimeve teknologjike në një nga entitetet qeveritare të sapongritura, të quajtur “Federata saudite për Sigurinë Kibernetike, Programimin dhe Dronët” (SAFCSP), e cila organizoi edhe eventin “hackathon”.

“E reja është pikërisht përfshirja e njerëzve dhe komuniteteve, jo vetëm sauditët, por të të gjitha kombësive që duan t’i shërbejnë haxhit. Ata kanë mundësinë të ofrojnë aplikacionet e tyre dhe zgjidhjet për shumë probleme, që do të mund të përmirësojnë eksperiencën dhe do t’ia shtojnë vlerat këtij rituali”, shtoi ajo.

Pjesëmarrja ishte rekord. Zhvillues dhe programues nga kombe myslimane, si Egjipti, Algjeria, Maroku dhe Omani, sikurse edhe nga Britania dhe Japonia, “hackathoni” treditor nxori në pah ndryshimet sociale që janë parë në Arabinë Saudite përgjatë dy viteve të fundit, që kur Princi i kurorës Mohammed bin Salman vendosi të hapë vendin ndaj shumë risive.

Çmimi i parë shkoi për një ekip të përbërë tërësisht nga femra, që kishte krijuar një aplikacion që ofronte përkthim në kohë reale të teksteve dhe sinjaleve pa u lidhur me internetin.

“Arritëm të shkatërronim të pamundurën dhe të provonim se femrat saudite mund të korrin sukses”, tha zhvilluesja Bayan al-Ghamdi.

Në këtë ngjarje nuk pati ndarje gjinore, e po ashtu ishte lehtësuar edhe kodi strikt i veshjes së femrave (me mantelin e gjatë të zi në publik). Rreth një e treta e pjesëmarrësve ishin femra – tha më tej Banjar, – një normë shumë herë më e lartë sesa ç’ka ndodhur në të kaluarën në evente të tilla, në një sektor që dominohet kryesisht nga meshkujt.

Rami Taibah, një zhvillues saudit, tha se organizimi i këtij eventi në Jeddah ishte i ngjashëm me atë ku ai kishte marrë pjesë në Palo Alto, të organizuar nga gjiganti i pagesave elektronike “Paypal”. “Isha i shqetësuar për probleme si lidhja me internetin për shkak të turmës së madhe, sepse nëse kjo dështon, atëherë mbetesh thatë. Megjithatë, nuk ka asnjë problem. Ne kemi një lidhje tepër të shpejtë”.

Taibah bëri të ditur se ekipi i tij kishte zhvilluar një aplikacion që do të shfrytëzonte teknologjinë e njohjes së fytyrës për të marrë informacione mjekësore të pelegrinazhit, të cilët ose mund të jenë në gjendje të fikti, ose kanë probleme me gjuhën për të komunikuar. “Stafi mjekësor mund të ndërhyjë në një mënyrë të besueshme dhe të mos ketë frikë se po bën diçka që mund ta përkeqësojë situatën”, tha ai.