Me apo pa armë kimike, Siria po shuhet

Me apo pa armë kimike, Siria po shuhet

Siria po vdes, ndërsa “bota është duke e parë atë”. Me armë kimike dhe konvencionale të përdorura nga regjimi i Asadit, jo vetëm gratë dhe fëmijët sirianë, por edhe njerëzimi ynë është duke vdekur

Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar: “Unë dua të bëj absolutisht të qartë për Assadin dhe ata që janë nën komandën e tij se – bota është duke ju parë”, gjatë një fjalimi në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington, më 4 dhjetor 2012. Ky ishte një paralajmërim kundër përdorimit të mundshëm të armëve kimike nga ana e regjimit të Assadit.

Por sulmi kimik erdhi në 21gusht 2013 në Ghouta, pranë Damaskut, duke vrarë të paktën 1.500 persona përfshirë gra dhe fëmijë. Pesë vjet më vonë, Assad ka vrarë shumë më tepër njerëz se çdo kriminel tjetër në historinë e kohëve të fundit. Ai e ka bërë atë me të përdorimit të armëve kimike dhe konvencionale, ndërsa bota “është duke parë çdo ngjarje”.

Sulmi kimik në Khan Sheikhoun, më 4 prill 2017, ishte vetëm episodi i fundit i gjenocidit politik të kryer nga regjimi i Assadit. Kombet e Bashkuara kanë ndaluar procesin e numërimit të vdekurve në Siri me arsyetimin se bilancet nuk mund të verifikohen.

Një raport i “Amnesty International”, i datës 22 shkurt 2017, vë në dukje se “deri në fund të vitit (2016), konflikti kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 300 mijë personave”. Por, shifrat aktuale janë shumë më të larta, ndoshta më shumë se 600 mijë persona janë vrarë nga forcat e regjimit të Assadit dhe milicisë nën komandën e tij. As proceset e Gjenevës, as Astana nuk kanë ndaluar regjimin nga përdorimi i armëve konvencionale dhe kimike kundrejt popullit sirian.

Duke parë botën ‘që shikon’ masakrën siriane dhe blerjen e terroristëve të ISIS-it, regjimi sirian ka të ngjarë të vazhdojë rrugën e tij aktuale të barbarizmit. Ata që i kanë mbijetuar sulmeve kimike, fuçive të klorit, predhave dhe bombave janë refugjatët ose ata që i kanë dalë mbanë të zhvendosen brenda vendeve. Bëhet fjalë për miliona qytetarë.

Një nga raportet e ‘Amnesty Internatonal’ vë në dukje se ‘4.800.000 njerëz janë larguar nga Siria në periudhën kohore nga mesi i vitit 2011 dhe në fund të vitit 2016, duke përfshirë edhe 200 mijë persona që janë deklaruar si refugjatë. Po për të njëjtën periudhë deklarohet se rreth 6.6 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda Sirisë, gjysma e tyre fëmijë”, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin të Çështjeve Humanitare. Në total, kjo shifër përkon me rreth gjysmën e popullit sirian. Për më tepër, mijëra persona kanë vdekur në ujërat e ftohta të detet Egjeu dhe Mesdheut. Sipas UNICEF-it, më shumë se 8 milionë fëmijë sirianë kanë nevojë të menjëhershme për ndihmë. Përgjigjja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj sulmit kimik në Khan Sheikhoun ishte një hap në drejtimin e duhur dhe një paralajmërim në veprim, jo vetëm fjalë.

Duke pasur parasysh poshtërsinë e vrasjeve të vazhdueshme me armë konvencionale dhe në rritje të krizës humanitare, megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të ndaluar luftën. Ndoshta regjimi i Assadit nuk do të guxojë të përdorë sërish armë kimike pas hakmarrjes së SHBA-së. Por, fokusi mbi përdorimin e armëve kimike mund të shndërrohet në një lojë për regjimin sirian, i cili për muaj të tërë mbetet i patrazuar, pavarësisht se kryen vrasje apo masakra; vetëm në momentin që regjimi i Damaskut përdor armët kimike bota kujtohet t’i dalë kundër atij. Situata në Siri është kthyer në një sagë të paparë humanitare, e cila rëndon mbi politikën dhe sigurinë.

Nëse i referohemi historisë, asnjë konflikt tjetër nuk ka krijuar aq shumë kaos. Ata që mendojnë se kriza siriane përfshin vetëm Sirinë, gabohen. I gjithë rajoni i Lindjes së Mesme është destabilizuar. Gjendja e luftës dhe viktimat mund të shihen dhe të numërohen në të katërta anët e Lindjes së Mesme. Kjo është një luftë që helmon politikën rajonale dhe dëmton ekuilibrin global të pushtetit, duke iu mundësuar akterëve joshtetërorë të krijojnë çifligun e rrjeteve të luftës, duke dobësuar më tej shtetet që janë tashmë të dobëta dhe të dështuara. Kjo luftë thellon tensionet sektare nga Iraku në Liban dhe më gjerë. Ajo vazhdon të rrisë krizën e refugjatëve në shkallë globale, rritjen e ksenofobisë dhe të racizmit në Evropë. Le të sjellim në kujtesë që nuk ishte ISIS-i ai që e nisi këtë luftë, por ishte lufta civile siriane që i la terren ISIS-it të zhvillohet në këto përmasa.

Për më tepër, lufta siriane minon sistemin modern botëror të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe të parandalimit të shkeljeve të drejtave të njeriut. Ajo krijon tensione mes dy aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe e SHBA-së për shkak të politikës së administratës Obama, në mbështetje të Partisë së Unionit Demokratik (PYD) dhe njësisë së Mbrojtjes së Popullit Mbrojtjes (YPG) – degë siriane të PKK-së.

E vërteta është se nuk ka zgjidhje të lehtë për Sirinë, ose të paktën asgjë nuk është e lehtë në fazën që tashmë ka arritur kjo luftë. Mbështetësit e regjimit nuk do të heqin dorë nga mbështetja e tyre vetëm për shkak se SHBA-ja ka bombarduar një bazë ajrore të regjimit. As nuk do të marrin parasysh thirrjet e Perëndimit që Assadi të japë dorëheqjen, siç bëri Muqtada al-Sadr në Irak, me anë të një telefonate të papritur javën e kaluar. Sipas llogaritjeve të tij, ai ishte duke fituar luftën jo vetëm për shkak se ai ka mbështetjen e Rusisë, Iranit dhe Hezbollahut, por edhe sepse ai sheh një koalicion të pavendosur dhe të dobët ndërkombëtar kundër tij. Për më tepër, ai mund ta përdorë ISIS-in si një mjet për të paraqitur veten si të keqen më të vogël.

Propozimi i Turqisë për të krijuar zona të sigurta për sirianët brenda Sirisë mund të kishte shpëtuar mijëra jetë dhe të kishte penguar sulmet kimike gjatë tre vjetëve të fundit, por ky propozim ka rënë në vesh të shurdhër në të dyja anët e Atlantikut. Turqia aktualisht mirëpret rreth 3 milionë refugjatë dhe vazhdon të ofrojë ndihmë humanitare për dhjetëra mijëra njerëz brenda Sirisë.

Nuk ka absolutisht asnjë dyshim se ISIS-i duhet luftuar dhe duhet shkatërruar. Ky përbindësh ka shkaktuar tashmë më shumë dhimbje dhe terror se duhet të ishte lejuar për një organizatë terroriste. Kjo situatë është një skandal moral dhe një katastrofë politike për regjimin e Asadit./Daily Sabah/