Sigal Prishtina, në sezonin e ardhshëm dëshiron të luajë në ligën ABA, për çka ua ka dërguar një shkresë krerëve të garave rajonale.
Letrën zyrtare ekipi nga Kosova e ka adresuar tek Mladen Weber, president i ligës ABA, dhe tek Kresimir Novosel – drejtor i garave në Adriatik.
Si argumentet kryesor janë përmendur sukseset e Sigalit në Ligën e Ballkanit dhe në FIBA. Klubi i njohur kosovar e ka fituar dy herë Ligën Ballkanike.
“Megjithatë, Akti Themelues dhe Rregulloret e ABA-s thonë se në të mund të garojnë veç ekipet nga gjashtë shtete: Serbia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia”, shkruan Blic.
“Meqë Kosova, sipas Kushtetutës së Serbisë është pjesë e këtij shteti, kjo mund të arrihet veç përmes Ligës së Basketbollit dhe Superligës së Serbisë, e meqë ky ekip nuk merr pjesë në garat e Serbisë, atëherë shkuarja në Adriatik është praktikisht e pamundur”, thuhet në shkrimin e mediumit serb, njofton Telegrafi.
Serbët të njëjtën kartë e kishin përdorur edhe për pjesëmarrjen e Prishtinë në Ligën Ballkanike, por që iu kishte dështuar.
Pas kësaj klubet serbe nuk kanë marrë pjesë më në këtë garë që është private, por nën mbikëqyrjen e FIBA-s.