Apeli vërteton dënimin ndaj prokurores Vahide Badivuku për marrje ryshfeti

29.09.2016 14:09
Apeli vërteton dënimin ndaj prokurores Vahide Badivuku për marrje ryshfeti

Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat në rastin e të akuzuarve Vahide Badivuku dhe Idriz Kelmendi, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 5 prillit 2016.

“Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara Vahide Badivuku është shpallur fajtore për veprën penale marrja e ryshfetit,( vepër  të cilën e  kishte kryer në cilësi të prokurores se shtetit), nga neni 428 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe është dënuar me 3 vjet burgim. Asaj po ashtu i është ndaluar ushtrim i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për  tri vjet”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Dy të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, sipas gjykatës, janë gjetur fajtor për veprën penale “ushtrimi i ndikimit në bashkëkryerje”, më ç’ rast Idriz Kelmendi është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, ndërsa Isak Smakolli me  3 mijë euro gjobë.

“Kolegji gjyqësor i kësaj gjykate gjeti se pretendimet ankimore të të akuzuarve, mbrojtësve të tyre dhe Prokurorisë Speciale, nuk qëndrojnë dhe se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejt kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor dhe i ka dënuar sipas ligjit”, thuhet më tej në komunikatë./Insajderi.com