Apeli vendosi që Azem Syla të mbrohet në liri

07.09.2016 15:51
Apeli vendosi që Azem Syla të mbrohet në liri

Azem Syla dhe të akuzuarit tjerë në rastin ‘Toka’ do të vazhdojnë mbrojtjen e tyre në liri.

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka mbështetur vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbrojtjen në liri të Sylës, duke refuzuar kështu kërkesën e Prokurorit të EULEX-it  për kthimin e të dyshuarve në paraburgim.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi përmes Facebook, duke bërë të ditur se klienti i tij do të mbrohet në liri deri në përfundim të procedurës penale.

“Sot gjykata e apelit ka refuzur ankesen e Prokurorit të Eulexit me të cilën ankesë ai ka kërkuar që z. Azem Syla , Hajrulla Berisha dhe Nuhi Uka të rikthehen në paraburgim pas lirimit të tyre me 25 gusht 2016”.

“ Gjykata e apelit ka konsideruar se nuk ka asnji arsye ligjore që të ndryshohet aktvendimi me të cilin ata janë liruar nga paraburgimi, dhe tani vendimi është i plot fuqishëm apo i formës së prerë. Daja dhe te tjerët do te mbrohen nga liria në këtë çështje penale”, ka shkruar Gashi në facebook.

Gazeta Insajderi ka raportuar në muajin prill për “tregtinë kriminale”, që është bërë me pronat, për të cilat është akuzuar Azem Syla si udhëheqës i këtij grupi.

Tokat të cilat janë tregtuara nga “grupi i Azem Sylës”, para luftës së dytë botërore kishin qenë prona private kryesisht të serbëve të Kosovës. Ato, ndërkohë janë marrë nga shteti dhe është themeluar ndërmarrja “KBI Kosova Export”.

Kurse pas luftës, atonë mënyrë të paligjshme, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër – pa e ditur fare ata, për tu shitur pastaj tek pronarët shqiptarë. Vlera e këtyre trojeve është vlerësuar se peshon mbi 30 milionë. /Insajderi.com