Apeli kthen në rigjykim dëbimin e aktivistit të Vetëvendosjes nga Tirana

Apeli kthen në rigjykim dëbimin e aktivistit të Vetëvendosjes nga Tirana

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë rastin e aktivistit të Vetëvendosjes Arbër Zaimi. Ai është shtetas i Shqipërisë, dhe ishte arrestuar më 22 mars të vitit të kaluar dhe më pas ishte depërtuar për në Shqipëri.

“Miratohet si e bazuar ankesa e paditësit Arbër Zaimi (…), ndërsa prishet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 29.11.2016, dhe lënda kthehet në gjykatën e shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

“Duke pohuar se gjykata nuk ka vepruar në përputhje me ligjin për ta zgjidhur çështjen brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e pranimit të padisë, të paraparë me nenin 95 paragrafi 2 të ligjit për të Huaj, por ka vendosur vetëm pas 228 ditëve. Andaj ka shkelur dispozitat procedurale juridike të dëm të paditësit. Në këtë kuptim ka shkelur të drejtën themelore të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Vetë aktivisti Zaimi ka konfirmuar këtë, përmes avokatit të tij.

“Sapo mora njoftimin nga avokati Tomë V. Gashi se Gjykata e Apelit në Kosovë e ka gjetur si të bazuar ankesën time ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila ka bërë një numër formulimesh të gabuara, shkeljesh, e kundërthëniesh në lidhje me gjykimin e rastit të dëbimit tim nga Kosova”, ka shkruar Arbër Zaimi.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë aktgjykim në dëm të paditësit pa i dëgjuar palët, duke ekzistuar mundësia e caktuar të një seance tjetër, në kuptim të një gjykimi të drejtë.

“Në arsyetimin e aktgjykimit nuk është konstatuar fare fakti procedural se a e ka përmbushur pala e paditur detyrimin për t’i dërguar gjykatës të gjitha shkresat që kanë të bëjnë me lëndën”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

“Gjykata ka përfshirë në procedurën e administrimit të provave vetëm tri prova që janë parashtruar nga paditësi, kështu që nuk ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, për shkak se nuk janë vërtetuar faktet relevante për të ardhur deri te konstatimi”, thuhet më tej aty, raporton Insajderi.

Zaimi pret që lajme të tilla të ketë sa më parë edhe për aktivistët e tjerë të Vetëvendosjes, Boiken Abazi dhe Dejona Mihali.

“Shpresoj që të marrim njoftime të tilla sa më shpejt për rastet e Boiken Abazit dhe Dejona Mihalit. Shpresoj që lajme të tilla të marrin edhe ata mijëra të pafajshëm dhe viktima të padrejtësive që presin me vjet në dyert e gjykatave”, ka shkruar Arbër Zaimi.

Për më tepër, aktivisti Arbën Zaimi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 22 mars të vitit 2016 dhe më pas është depërtuar për në Shqipëri.

Sipas policisë asokohe, “shtetasi në fjalë ka vazhduar te qëndrojë në Kosovë pa e paraqitur adresën e vetë të qëndrimit siç e obligon Ligji për të Huajt nr. 04/L-219 sipas nenit 123 dhe 124.”

Po ashtu, arsyeja e dytë sipas policisë ishte se “pas përllogaritjes se qëndrimi të tij përmes hyrje-daljeve ka rezultuar se i njëjti ka konsumuar të drejtën e qëndrimit të tij prej tre muaj brenda periudhës gjashtë mujore siç është e paraparë në nenin 33 paragrafi 1 pika 1.4 e Ligjit për te Huajt”.

“Bazuar në këto dy shkelje, të konstatuara sipas ligjeve të aplikueshme, respektivisht në mbështetje të nenit 94 paragrafi 3 te Ligjit për të Huajt, për të njëjtin është lëshuar ‘Urdhër Largim vullnetar me ndalesë të ri-hyrjes në Republikën e Kosovës në afat prej 2 muajve i cili urdhër duhet të zbatohet në afatin kohor prej 15 ditëve nga dita e lëshimit të tij”./Insajderi.com