Apeli kthen në punë mjekun e suspenduar, QKUK duhet t’ia paguaj retroaktivisht rrogën

Apeli kthen në punë mjekun e suspenduar, QKUK duhet t’ia paguaj retroaktivisht rrogën

Pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, QKUK-ja është detyruar ta rikthejë në vendin e tij të punës mjekun Bekim Dula, të cilin QKUK-ja e kishte suspenduar në vitin 2015 me arsyetimin se nuk kishte licencë të kardiokirurgjisë, raporton KTV.

Për më tepër, QKUK është detyruar që rreth 20 mijë euro t’ia kthejë si paga retroaktive për periudhën sa ishte larguar nga puna.

Është rikthyer në vendin e tij në Kardiokirurgji mjeku Bekim Dula, i cili që nga viti 2015 ishte suspenduar dhe larguar nga QKUK-ja pas disa vendimeve të Komisionit Disiplinor në QKUK dhe drejtorit të SHSKUK-së.

Por, QKUK-ja e ka humbur këtë betejë në gjykatë.

Pavarësisht vendimeve të shumta që SHSKUK-ja kishte nxjerrë me arsyetimin se Dula ishte emëruar si drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë pa poseduar fare licencë të kardiokirurgjisë, Gjykata e Apelit ka vendosur në favor të tij, duke e anuluar vendimin e shkallës së parë.

“Për të zotëruar këtë vend pune paditësi posedon vendimin nr.224 të datës 14.06.2010 e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë – Bordi i Licencimit, sipas të cilit: “Dr. Bekim Dula specialist i Kirurgjisë së përgjithshme i pranohet e drejta e ushtrimit të profesionit kirurg i specializuar në Kardiokirurgji duke u bazuar në përgatitjet profesionale dhe lejen e punës të lëshuar nga Qendra Kardiovaskulare “Edmondo Malan” dhe Universiteti i Milanos. Nostrifikimi është bërë konform Udhëzimit Administrativ për Regjistrim dhe Licencim të profesionistëve shëndetësor dhe nenit 17 të Rregullores mbi Punën e Bordit Qendror për regjistrim dhe licencim, i lëshuar nga organi kompetent”, shkruan në vendimin e Apelit.

Për më tepër, QKUK-ja është detyruar që rreth 20 mijë euro t’ia kthejë si paga retroaktive për periudhën sa ishte larguar nga puna.

“Detyrohet e paditura që paditësit për pagat e papaguara sipas kontratës së punës në kohë të caktuar për pozitën Drejtor i Shërbimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive t’ia paguajë pagat e papaguara duke filluar nga data e largimit nga vendi i punës 07.08.2015 e deri me datën e përfundimit të kontratës 15.09.2017 në shumat mujore prej 760 € neto”, shkruan më tej në vendimin e Apelit.

KTV-ja ka dy ditë që ka tentuar të marrë një qëndrim nga ana e mjekut Bekim Dula, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

KTV-ja gjithashtu, ka qëndruar në Kardiokirurgji aty ku aktualisht është duke punuar Dula, por ai nuk ka pranuar të flasë.

Ndërsa, zyrtarë nga QKUK-ja nuk kanë dashur të flasin për këtë rast. Nga ky institucion vetëm shkurtimisht është thënë se kanë pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe kanë nisur ta zbatojnë.

Në qershor të vitit 2015, drejtori i përgjithshëm i SHKUK-së, përmes një vendimin e kishte ulur pozitën e Bekim Dulës nga drejtori i Kardiokirurgjisë në mjek specialist i kirurgjisë së përgjithshëm në Klinikën e Kirurgji Abdominale në QKUK.

Në këtë vendim thuhej se ky vendim ishte marrë në bazë të licencës së punës që posedon licencë adekuate të mjekut kardiokirurg.

Mirëpo, në vendimin e Bordit të licencimit të Ministrisë së Shëndetësisë të vitit 2010 thuhej se doktorit Bekim Dula, specialist i kirurgjisë së përgjithshëm, i pranohet e drejta e ushtrimit të profesionit si kirurg i specializuar në Kardiokirurgji duke u bazuar në përgatitjet profesionale dhe lejen e punës të lëshuar nga Qendra Kardiovaskulare “Edmondo Malan” dhe Universitetit të Milanos.