Apeli konfirmon paraburgimin për Murat Jasharin

Apeli konfirmon paraburgimin për Murat Jasharin

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit për Murat Jashrin dhe Avni Llumnicën, dhe masën e arrestit shtëpiak për Arsim Ibrahimin.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur me 23.03.2017, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për të pandehurit M.J. dhe A.Ll. dhe atë të arrestit shtëpiak për të pandehurin A.I. Në këtë mënyrë kolegji i ka refuzuar si të pa pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 14.03.2017”, thuhet në njoftim.

Murat Jashari po dyshohet nga ana e prokurorisë për veprat  penale ‘Hakmarrje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje nën pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve’.

Avni Llumnica dyshohet për veprën penale ‘Hakmarrje në ndihmë’.  Ndërsa Arsim Ibrahimi për ‘Dhënie të ndihmës kryerësve, pas kryerjes se veprës penale’.

“Gjykata e Apelit konstatoi se gjykata e shkallës së parë drejt ka gjetur se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat e lartcekura, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Murat Jashari dyshohet për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, të cilin e kishte quajtur tradhtar./Insajderi.com