Apeli hodhi poshtë aktakuzën kundër Agim Bahtirit

22.03.2017 14:07
Apeli hodhi poshtë aktakuzën kundër Agim Bahtirit

Gjykata e Apelit i ka aprovuar si të bazuara ankesat e të pandehurve Agim Bahtiri, Haxhimet Ferati dhe Gazmend Kelmendi, kundër aktvendimit të Gjykatës  Themelore në Mitrovicë, të datës 28.12.2016.

“Aktakuza e cila i ngarkon ata për veprat penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, (A.B. dhe H.F. ) dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender, (G.K.), e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është hudhur. Procedura penale ndaj tyre është pushuar”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Kjo gjykatë, duke pasur parasysh provat në bazë te të cilave është ngritur aktakuza, vlerëson se në rastin konkret ato nuk mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

“Prandaj konform dispozitës se nenit 250 paragrafi 1, nënparagrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale, hudhet akuza dhe pushohet  procedura penale në këtë çështje”, thuhet  më tej në njoftim./Insajderi.com