Apeli ashpërson dënimin ndaj vrasësit të Zejnepe Berishës

21.08.2017 10:59
Apeli ashpërson dënimin ndaj vrasësit të Zejnepe Berishës

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, në rastin e të akuzuarit Nebih Berisha.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 12.04.2017, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.

“Për veprat për të cilat është shpallur fajtor “Vrasje e rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 i të njëjtit kod, kjo gjykatë, personin në fjalë e ka dënuar me  17 vjet burgim. Ankesa e mbrojtësit e të akuzuarit N. B., është refuzuar  si e pa bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

“Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, ka vërejtur se Gjykata e shkallës së parë në këtë çështje penalo- juridike, edhe pse drejtë i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat i ka gjetur tek i akuzuari, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht dhe atë sidomos rrethanën lehtësuese “përgjegjësia esencialisht e zvogëluar”, të cilën e ka mbiçmuar”, thuhet më tej aty.

Apeli thotë se ‘nuk janë vlerësuar po ashtu realisht, as rrethanat rënduese siç është mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari në prezencën edhe të të miturës e privon nga jeta, tani të ndjerën Z. B., dhe atë duke e goditur 20 (njëzetë) herë radhazi, në të gjitha pjesët e trupit, me  këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale’.

Rrethanë tjetër e cila, sipas Gjykatës së Apelit, nuk është vlerësuar si duhet është edhe motivi i kryerjes së veprës penale dhe sjellja e mëparshme e të akuzuarit ndaj familjes por edhe ndaj tani të ndjerës, pra para kryerjes së veprës penale.

“Nga e gjithë kjo  rezulton se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë prej 12 vjet e 6 muaj  është shumë i butë, prandaj edhe vendosi t’i shqiptoj një dënim më të rëndë”, përfundon njoftimi./Insajderi.com