Anulohet shfaqja e filmit me aktorin shqiptar në DokuKino

Anulohet shfaqja e filmit me aktorin shqiptar në DokuKino

Para disa javësh, kinemaja DokuKino në Prizren pati njoftuar se në repertorin e tyre do ta shfaqin edhe filmin “The Zookeeper’s Wife” me regji të Niki Caro, ku në mesin e aktorëve performon edhe aktori kosovar Val Maloku.

Megjithatë, diçka e tillë nuk do të ndodhë dhe kosovarët e as ballkanasit tjerë nuk do të mund ta shohin filmin.

Lajmin për mos shfaqjen e filmit në DokuKino e konfirmoi menaxherja e kësaj kinemaje, Zana Arapi Xheladini, e cila gjithashtu tha se filmi nuk do të shfaqet askund në Ballkan, sh.

“Filmi nuk do të prezantohet në kinemanë DokuKino e në asnjë kinema të Ballkanit. Nuk e dimë arsyen, vetëm se distributori “Taramount Film” nga Beogradi e ka larguar nga lista sepse kanë pasur një problem të cilin nuk e dimë. Në fillim të vitit ka qenë në listë por tash nuk është”, tha Arapi Xheladini.

“The Zookeeper’s Wife”, flet për dy individë të cilët në një kopsht zoologjik në Varshavë shpëtojnë shumë jetë të njerëzve përgjatë pushtimit nga nazistët.

Filmi u shfaq premierë botërore më 7 mars në Poloni. Aty i pranishëm në mesin e aktorëve më famë botërore ishte edhe Val Maloku.