Antimafia përfshin në hetim Juventusin: Lidhje me klanin e Ndranghetas

Antimafia përfshin në hetim Juventusin: Lidhje me klanin e Ndranghetas

Udhëheq kampionatin me 8 pikë diferencë nga vendi i dytë duke vendosur një dorë në titullin e gjashtë radhazi kampion dhe në “Champions” pret e qetë në Torino skuadrën e Portos pas fitores 0-2 në Portugali.

Por jashtë fushe, gjërat nuk po shkojnë kaq vaj për Juventusin. Bardhezinjtë janë përfshirë, edhe pse tërthorazi, në një hetim të antimafias italiane.

Bëhet fjalë për një hetim në lidhje me çështjen e biletave në “Juventus Stadium”, ku mes tifozëve kanë përfituar edhe Saverio Dominello dhe djali i tij Rocco, dy emra të njohur të “Ndranghetas”, që dyshohet se kontrollonin “tregun e zi” të tyre.

“Ka prova që të dy drejtuesit e Juventusit dhe të stadiumit kanë patur kontakte me këta dy persona në lidhje me abonimet dhe shpërndarjen e biletave dhe mes këtyre kontakteve nuk përjashtohet as Presidenti Agnelli”, thuhet në një raport të Prokurorit Federal, Giuseppe Pecoraro.

Mediat italiane raportojnë se eksponentë të “Ndranghetas” ishin abonentë tek sektorët ultras të Juventusit, ndërkohë që sqarohet se për asnjërin prej drejtuesve të “Bardhezinjëve” nuk ka nisur hetim, njofton tch.

E kur flitet për mafian, gjërat në Itali bëhen mjaft serioze, aq sa çështja dhe raporti prej 5 mijë faqesh ka përfunduar në Komisionin Parlamentar Antimafia.