Anëtari i VV-së që garon për guvernator: Zgjedhja ime do ta ç’kapte BQK-në

Besnik Bislimi dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin dalë kundër zgjedhjes së Bedri Hamzës në postin e guvernatorit. Dyshimet se Banka Qendrore e Kosovës është e kapur politikisht, Bislimi synon t'i zhduk me emërimin guvernator. 

Anëtari i VV-së që garon për guvernator: Zgjedhja ime do ta ç’kapte BQK-në

Besnik Bislimi i ka hyrë garës për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje synon të zgjedhjet shef i një institucioni, për të cilin ai pretendon se është i politizuar.

Siç ka raportuar sot Gazeta Online Insajderi, prej 26 kandidatëve që kanë aplikuar për guvernator, Bordi i BQK-së ka përzgjedhur 15 prej tyre për t’i intervistuar të martën. Në mesin e 15 personave që synojnë këtë pozicion, është edhe Besnik Bislimi. Ai ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në mandatin e kaluar.

Besnik Bislimi dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin dalë kundër zgjedhjes së Bedri Hamzës në postin e guvernatorit. Dyshimet se Banka Qendrore e Kosovës është e kapur politikisht, Bislimi synon t’i zhduk me emërimin guvernator.

“Përzgjedhja ime do të reflektonte hap drejt ç’kapjes e jo të kundërtën”, thotë Bislimi, në një intervistë për Insajderin. Ai tregon arsyet që ndikuan për të kandiduar për pozitën e guvernatorit të shtetit. 

Janë disa faktorë që kanë ndikuar në këtë vendim. Është hera e parë që po hapet konkurs pa u përcaktuar paraprakisht kandidati që do zgjidhet si guvernator. Së dyti, involvimi i një mekanizmi ndërkombëtar gjatë përzgjedhjes së pozitave të larta”, shprehet Bislimi.

“Së treti, ndërrimi i konfiguracionit në parlament zvogëlon hapësirat për pazare politike. Dhe së fundit, përgatitja ime profesionale është garancë për një avancim përmbajtësor të misionit të bankës qëndrore.”

Bislimi deklaron se nuk mund të mohohet kapja e institucioneve të Kosovës, duke përfshirë edhe BQK-në. “Dhe natyrisht është detyrë e secilit që ta luftojë këtë kapje”, i tha Bislimi, Gazetës Online Insajderi.

Mirëpo, siç thekson anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidimi i tij nuk është bërë nga çfarëdo pozite eventuale politike.

“Kandidimi im nuk është bërë nga çfarëdo pozite eventuale politike, por kryekëput nga perspektiva e dikuj që ligjëron politikat makroekonomike dhe ato monetare për më shumë se 20 vite edhe atë kryesisht në universitet gjerman dhe amerikan”, deklaron ai.

Ai thotë se kandidimi i tij për pozitën e guvernatorit nuk ka të bëjë me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje. Thotë se tentimi për t’i dhënë ngjyrim politik kandidimit të tij, do të nënkupëtonte disavantazh për të, në garën për guvernator.

“[Ngjyrimi politik] do të nënkuptonte disavantazh për kandidimin tim, meqë subjekti politik të cilit i përkas është në opozitë. Tash i mbetet panelit intervistues e pastaj deputetëve të parlamentit të Kosovës të tregojnë se a vlen ende maksima e përzgjedhjes së individëve në bazë të preferencave politike apo mbizotëron brenga për kualitetin e politikave monetare në vend”, deklaroi Bislimi.

Bordi i BQK-së pritet që dy apo tre kandidatë për guvernator t’ia propozojë Qeverisë. Ndërkaq këta kandidatë Qeveria i dërgon në Kuvend. Kandidati që merr më shumë vota zgjidhet guvernator me mandat pesëvjeçar.

Insajderi ka siguruar listën e plotë të kandidatëve të përzgjedhur për fazën e dytë – atë të intervistimit.

Dyndje politikanësh në garën për guvernator – profilet e kandidatëve

Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Arben Mustafa, Safet Merovci, Mustafë Hasani, Besnik Krasniqi, Flamur Keqa, Ilir Aliu, Driton Qehaja, Besnik Bislimi, Avni Jashari, Bashkim Isufi, Naser Rusinofci dhe Kujtim Dobruna, pritet të intervistohen nga Bordi i BQK-së.

Gara për guvernator është hapur pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kjo pozitë. Ai qe emëruar dy muaj më parë në pozitën e ministrit të Financave në Qeverinë e drejtuar prej Ramush Haradinajt. /Insajderi.com