Anëtari i PDK-së paralajmëron humbje në zgjedhjet lokale

02.08.2017 12:23
Anëtari i PDK-së paralajmëron humbje në zgjedhjet lokale

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, i cili ka dhënë dorëheqje nga dega e kësaj partie në Lipjan, ka paralajmëruar se kjo parti do t’i humbë zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017.

Ai ka thënë se, mënyra se si po sillet kjo parti në qendër, me në krye Kadri Veselin, humbja është e sigurt.

Kjo bindje vjen nga Shukri Buja, i cili ka dhënë dorëheqje nga dega e PDK-së në Lipjan, për shkak të pakënaqësive të mëdha me udhëheqjen e PDK-së nga Kadri Veseli.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë fare për kryetar të Lipjanit, pasi thotë se humbja është e sigurt, për shkak të mendësisë së PDK-së në qendër.

“Duke parë mosinteresimin tuaj z. Veseli për familjen Buja dhe Shukri Bujën, ndoshta pa peshë në Lipjan dhe Kosovë në politikë sipas jush, insistimi juaj për ‘kuadro të reja’, e që në fakt ishin kuadro të larguara dhe rikthyera në PDK me bagazhin e sharjeve më fyese për PDK-në dhe u nënë imazh i partisë – Tërhiqem nga kandidatura e pranuar pas vendimit unanim të Degës së PDK-së në Lipjan”, ka shkruar Buja në letrën drejtuar kreut të partisë së tij, Kadri Veseli.

Buja ia ka bërë me dije shefit të partisë se jep dorëheqje nga PDK-ja në Lipjan dhe se nuk do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Lipjanit.

Po ashtu, Buja ka thënë se është i bindur se PDK do t’i humbë zgjedhjet në Lipjan, për shkak të mendësisë së PDK-së në qendër.

“Nuk pranoj të jem kandidat i PDK-së për Kryetar Komune në Lipjan. Jap dorëheqje nga detyra e kryetarit të Degës së PDK-së në Lipjan, dhe nga Kryesia e Degës. Sepse nuk dua të jem përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të radhës në Lipjan, nuk dua të jem në ekipin humbës në Lipjan”, ka shkruar më tej Buja në letrën e tij.

Por ai ka thënë se do të qëndrojë edhe më tutje si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së për të kërkuar llogari për humbjen e zgjedhjeve parlamentare dhe për humbjen e atyre lokale, për të cilën gjë Buja thotë se është i bindur.

“Do të mbetem anëtar i PDK-së, dhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së për të kërkuar përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve parlamentare. Për të kërkuar përgjegjësi nesër për humbjen e zgjedhjeve lokale që jam i bindur se do të ndodhin, me këtë paudhësi të veprimeve nga qendra”, ka shkruar më tej Buja në letrën e tij.