Anëtari i LDK-së propozon largim nga partia për ata që votojnë Haradinajn për kryeministër

Anëtari i LDK-së propozon largim nga partia për ata që votojnë Haradinajn për kryeministër

Faton Peci nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nëse Teuta Rugova e voton koalicionin PAN, atëherë ajo do të mbetej vetëm pasardhëse biologjike e kryetarit të ndjerë të LDK-së, Ibrahim Rugovës, dhe jo më pasardhëse e trashëgimisë së tij.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se argumenti i tij është që ka presion te familja Rugova sa i përket bindjes së deputetes së zgjedhur, Teuta Rugovës, për ta votuar koalicionin PAN, madje këtë e konsideron të jetë histori shumë e dhimbshme.

“Është përpjekje e analizuar dhe projektuar mirë”, tha Peci, duke shtuar se kjo familje prek në sentimentin e votuesve dhe përkrahësve të Ibrahim Rugovës, dhe prej atij momenti që Teuta Rugova do ta votonte koalicionin PAN, atëherë  ajo do të mbetej vetëm pasardhëse biologjike e Ibrahim Rugovës, por jo edhe e trashëgimisë së tij.

Tutje, ai bëri të ditur se gjithë ata deputetë nga LAA që e vlerësojnë se Ramush Haradinaj duhet të jetë kryeministër janë hipokritë, pasi që sipas tij, ata është dashur më herë të kërkojnë t’i bashkohen koalicionit PAN, pasi që oferta ka qenë e qartë.

Sipas Pecit, PAN ka konkuruar me kandidat Ramush Haradinaj, dhe ata që kanë besuar se Ramush Haradinaj është alternativa më e mirë në interes të Kosovës, për të qenë kryeminsitër me këtë kombinim e koalicion, nuk është dashur të hyjnë në listën e LAA e VV.

“Personalisht, mendoj që nuk e di çka do ai person në LDK nëse e voton PAN”, tha ai.

Sa i përket Ramush Haradinajt, Peci tha se nëse është dikush i dashuruar me pozitën e kryeministrit atëherë është vetë Ramush Haradinaj. /Klan Kosova/