Anëtari i Kryesisë së PDK-së e krahason analistin shqiptar me derrin

Anëtari i Kryesisë së PDK-së e krahason analistin shqiptar me derrin

Gani Koci e ka vazhduar debatin me shqiptarin nga Maqedonia, Kim Mehmetin, i cili u përfshi në debatin se a duhet ndalur Vetëvendosjen me ligj. Në reagimin e fundit, Zëvendësministri Koci e ka krahasuar Mehmetin me derr.

 

“Kim Mehmeti, të ka humbur terreni politik në Maqedini që aq shumë e synove! Nuk mund të përbirosh tashmë në politikë duke mbrojtur veprimet kriminale, antidemokratike dhe antikombëtare te Vetëvendosjës! Për asgjë tjetër, ju mund të mbaheni mend për emrin KiM që është akronim për Kosovo i Metohija, dhe për facën tënde jorkshiriane!”, ka shkruar Koci derisa i ka publikuar dy foto, njërën të Kim Mehmetit e tjetrën të një derri.

Reagimi i Kocit ka ardhur pas një shkrimi të Mehmetit, i cili e quan zyrtarin e PDK’së si kokëtulë.

“VV-ja të ndalohet me ligj?! Lexova diku se një anëtar i Kryesisë së PDK-së paska kërkuar që VV-ja të shpallet organizatë antikushtetuese?! E tani ecë e mos thuaj se çdo popull i ka injorantët e vetë, por vetëm kokëtulëve tanë që japin këso propozimesh, u është lënë në duar fati i shtetit dhe i popullit!”, ka shkruar Mehmeti në llogarinë e tij në Facebook.

Sidoqoftë, Gani Koci kishte thënë se Partia e Albin Kurtit po e sfidon Shtetin e Kosovës përmes verpimeve anarkiste e kriminale.

“Duhet te shpallet organizatë antikushtetuese. Shteti i Kosovës po rrezikohet!. “Vetëvendosje sfidon shtetin! Shteti duhet të reagojë edhe në forma tjera për të ndaluar veprimet anarkiste e kriminale të kësaj lëvizjeje”, kishte shkruar Koci, në një reagim në FB.