Anëtari i AKR-së që po refuzon postin e ministrit të Brendshëm

Anëtari i AKR-së që po refuzon postin e ministrit të Brendshëm

Pas dorëheqjes së Flamur Sefajt nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, AKR-ja ende nuk ka vendosur për emrin e ri që do ta vë në krye të këtij institucioni.

Kryeministri Haradinaj dje në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, deklaroi se janë në pritje të AKR-së që të sjellin emrin e ri për ministër të Punëve të Brendshme.

E në AKR thonë se kjo çështje i takon tashmë kryetarit të partisë, Behgjet Pacolli.

Kryetari i Kuvendit të kësaj partie, Fatmir Matoshi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se edhe pse është propozuar nga struktura e partisë, ai nuk do të jetë kandidat për ministër të MPB-së.

“Kjo çështje është përgjegjësi dhe kompetencë e kryetarit të AKR-së. Unë kam qenë i propozuar i shumicës absolute të strukturës së partisë dhe degëve, e kam menduar këtë çështje dhe dje e kam njoftuar presidentin Pacolli që nuk jam kandidat për ministër të MPB-së”, ka thënë Matoshi.

Ai ka shtuar se nuk e di se kur dhe për kënd do të vendosë Pacolli.

“Unë do të vazhdojë të japë kontributin tim në MMPH si zv/ministër dhe si kryetari i degës në Kamenicë. Ndërsa presidentit i kam dhënë mendimin tim se ministri i ri i MPB-së do të duhej të ishte patjetër nga struktura udhëheqëse e partisë dhe në asnjë mënyrë nga dikush nga jashtë ose dikush që varësisht interesave të momentit që hyn edhe del nga AKR-ja”, u shpreh Matoshi.