Anesteziologu i “Medicus”: Kam marrë pjesë në transplantet e veshkave që janë kryer nga ky mjek

Anesteziologu i “Medicus”: Kam marrë pjesë në transplantet e veshkave që janë kryer nga ky mjek

Dikur si i pandehur, sot në cilësinë e dëshmitarit për rastin “Medicus”, anesteziologu që mori vet pjesë në disa operacione të transplantit të veshkave, që dyshohet se janë bërë ilegalisht në këtë klinikë, tregoi se kush ishin mjekët që kishin kryer transplantet e veshkave dhe kush ishin pacientët.

Islam Bytyqi, që edhe sot ushtron profesionin e anesteziologut në një klinikë private, në “Medicus” paguhej nga 20 deri në 50 euro për të kryer punën e anesteziologut për një rast, varësisht nga natyra e operacionit. Mirëpo, akuzat ndaj tij që i pretendonte Prokuroria e EULEX u hodhën poshtë nga gjykata dhe ai u shpall i pafajshëm.

Ai është konfuz se kur ka nisur punën në klinikën famëkeqe “Medicus”, në vitin 2006 apo 2007, por është i sigurt që s’kishte më punë me ta që nga viti 2008, kur edhe klinika u mbyll me një bastisje spektakulare nga Policia. Islam Bytyqi, anesteziolog me profesion, tash veç dëshmitar në ri-gjykimin e “Medicus” tregoi se ka punuar me gjysmë orari dhe ishte paguar nga klinika 20 deri në 50 euro për të marrë pjesë në një rast, varësisht nga natyra e operacionit.

Bytyqi, që më herët ishte i pandehur, por i shpallur i pafajshëm, tregoi të mërkurën edhe për pacientin e fundit që pati kjo klinikë, ndaj të cilit është kryer transplant i veshkës, dëshminë e të cilit Express e ka publikuar javë me parë. Bëhet fjalë për Bezalel Shafran, shtetas i Izraelit, i cili kishte udhëtuar nga Izraeli për në Kosovë për të kryer transplant të veshkës. Këtë operacion e kishte kryer mjeku turk, Yusuf Sonmez, i njohur si “Dr. Vampiri”.

Bytyqi kishte dhënë deklaratat e tij edhe në procesin e mëparshëm gjyqësor, në qershor të 2008’ës, korrik të 2010’ës, tetor të 2010’ës dhe prill të 2013’ës, atëherë kur Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor mjekun dhe drejtorin e kësaj klinikë, Lutfi Dervishi me 8 vjet burg dhe anesteziologun Sokol Hajdini me 3 vjet heqje lirie.

Punën e tij në klinikën “Medicus” Bytyqi tregoi se e nisi me propozim të kolegut të tij, anesteziologut Sokol Hajdini, i cili ishte i pranishëm në seancën e së mërkurës bashkë me të dënuarin tjetër Lutfi Dervishi. Bytyqi tregoi se Sokol Hajdini i kishte propozuar atij të punojë në “Medicus” me gjysmë orari. Anesteziologët tjerë që Bytyqi ka punuar me ta në këtë klinikë, pos Hajdinit ishte edhe Sylejman Dulla.

Prokurorja e EULEX e pyeti Bytyqin se a e ka njohur ndonjëherë mjekun Yusuf Sonmez, i cili me plot bindje tha se e ka takuar atë në klinikën “Medicus”, duke treguar se Sonmez ishte shtetas turk. Islam Bytyqi atëkohë pjesë e ekipit të anesteziologëve të klinikës, tha se kishte marrë pjesë në disa operacione që i ka kryer Yusuf Sonmez. Fjala është për operacionet e transplantit të veshkës.

“Kam marrë pjesë në rreth 6 operacione, aty diku, më pak ose më shumë, nuk më kujtohet saktësisht”, tha Bytyqi në cilësinë e dëshmitarit. Ai tregoi se në këto operacione të transplantit ka marrë pjesë edhe mjeku tjetër dr. Kenan dhe dr. Driton Jilta, por edhe Lutfi Dervishi.

“Ka qenë mjek në ‘Medicus’, ka marrë pjesë në operacione bashkë me Sonmez”, tha dëshmitari, derisa tregoi se pjesë e ekipit së Sonmez që kryenin operacione ishin, pos Sonmezit dhe Kenan edhe dr.Driton Jilta dhe kohë pas kohë merrte pjesë edhe Lutfi Dervishi.

Për Dervishin, Bytyqi tha se sa herë që e kanë thirrur për ndihmë në operacione ai ka qenë aty. Ndërsa, për ekipin e anesteziologëve, pjesë e së cilit ishte edhe vetë Islam Bytyqi, tha se këtë ekip e përbënin: Sokol Hajdnini, ai vetë dhe Sylejman Dulla.

“Në operacione zakonisht kemi qenë dy anesteziologë, ose unë me Sokolin ose Sokoli me Dr. Sylën”, tha dëshmitari, duke shtuar se secili i ka pasur detyrat e veta si: përgatitja e barnave, kontrolli i aparatit për anestezion, intubimi i pacientit dhe vendosja e aparatit për anestezion dhe disa kontrolle të tjera të zakonshme që i bëhen pacientit para operacionit.

Në deklaratën e tij të dhënë në gjykimin e mëhershëm për këtë rast, Bytyqi pati thënë se puna e tij ka qenë vetëm t’i përgatitë ilaçet dhe t’ua japë ato pacientëve ashtu siç e ka urdhëruar Sokol Hajdini. I ballafaquar sot me këtë deklaratë nga gjyqtarja e EULEX, ai tha se atëkohë të gjithë anesteziologët e kanë bërë punën e njëjtë, e për deklaratën e mëparshme ai tha se, atëkohë në cilësinë e të pandehurit e ka bërë atë deklaratë për ta mbrojtur vetën nga akuzat që bëheshin kundër tij.

“Kjo dëshmi e imja ka qenë në cilësinë e të pandehurit, secili ka të drejtë ta mbrojë veten kur akuzohet për diçka që nuk e ka bërë”, tha Bytyqi.

Dikur pjesë e ekipit të anesteziologëve në “Medicus”, Bytyqi tha se kishte marrë pjesë në kryesisht operacione urologjike, përfshirë operacione ku janë bërë transplante të veshkave, por jo edhe ato të heqjes së veshkës. Ai tregoi se pacientët që iu ishin nënshtruar operacioneve të transplanteve ishin të gjithë nga shtetet e ndryshme, e asnjë nga Kosova, shkruan Gazeta Express.

“Për operacione, zakonisht jemi njoftuar 1 orë ose 2 orë para, por edhe 1 ditë para operacionit. Zakonisht na ka lajmëru Nexhmedin Statovci”, tha Bytyqi. Statovci, tani i ndjerë, ka qenë në pozitën e kryeteknikut në klinikën “Medicus” në kohën kur u bënë transplantet dhe heqjet e veshkave.

Islam Bytyqi sot dëshmoi edhe për infermieren, Shpresa Makolli. Si infermiere që ka asistuar në ekipin e Yusuf Sonmez që kanë bërë transplante, Bytyqi tha se ishte vetëm Shpresa Makolli e cila ka qëndruar në sallë në anën sterile, aty ku kanë qëndruar kirurgët që kanë marrë pjesë në operacion, derisa shpjegoi se ekipi i anesteziologëve, edhe pse ishin në të njëjtën sallë, ata qëndronin në anën josterile, sepse për ta ishte e ndaluar të jenë të pranishëm në vendin ku kryheshin operacionet.

Edhe ky dëshmitar, si pothuajse të gjithë të tjerët që janë dëgjuar deri tani për këtë rast, pohoi se pronar i “Medicus” ishte Lutfi Dervishi. Ndërsa, për djalin e Lutfiut, Arban Dervishin tha se e ka njohur, por nuk e ka ditur rrolin e tij në klinikë që e ka pasur atëkohë. Kujtojmë se procedura gjyqësore ndaj Arban Dervishit është e veçuar pasi ai gjendet në arrati.

“E njoh edhe Arban Dervishin. E di që në profesion ka qenë ekonomist, por nuk e di se çfarë rroli ka pas në Medicus”, tha Bytyqi.

Islam Bytyqi të mërkurën në këtë rast gjyqësor foli edhe për pacientin e fundit që kishte kryer transplant të veshkës në klinikën “Medicus”. Bëhet fjalë për Bezalel Shafran, shtetas i Izraelit.

Aktakuza e Prokurorisë tregon se shtetasi i Izraelit ka paguar 9 mijë euro për të kryer transplant të veshkës. Sipas deklaratës së pacientit dhënë Policisë Ndërkombëtare të Misionit të Administratës së Përkohshme në Kosovë (PN-UNMIK), më 30 tetor të 2008’ës ai kishte udhëtuar për në Kosovë për të pranuar një veshkë. Shafran atëkohë ka dëshmuar se Lutfi Dervishi e ka njoftuar edhe me donatorin e veshkës, emri i të cilit në aktakuzë është shkruar si Altun.

Për këtë operacion ku u nënshtrua Shafran për transplantin e veshkës, Bytyqi tha se ka qenë pjesëmarrës si anesteziolog bashkë me Sokol Hajdinin.

“Kam marrë pjesë në operacionin e fundit. Pacienti ishte Bezalel Shafran e në ekipin e anesteziologëve isha unë dhe Sokol Hajdini”, tha Bytyqi në cilësinë e dëshmitarit. Aktakuza thotë se Bezalel Shafran ishte larguar nga Kosova me ose rreth 18 nëntorit, dhe u kthye në Izrael.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Por më pas, Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë këtë vendim dhe kishte kërkuar që rasti të shkojë në rigjykim. Dervishi dhe Sokoli ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.