Ancelotti zbarkon në Tiranë – flet për Shqipërinë e De Biasin

Ancelotti zbarkon në Tiranë – flet për Shqipërinë e De Biasin

Carlo Ancelotti ka qenë i ftuar i veçantë i kryeministrit Edi Rama në një promovim të veçantë të librit të tij, “Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches” (Lidershipi i qetë: Të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet).

Para një paneli me disa nga figurat më të shquara të futbollit shqiptar, gazetarëve por edhe stafit të kombëtares kuqezi, Ancelotti dhe kryeministri Rama kanë diskutuar për atë që përmban ky libër, por edhe filozofinë e trajnerit të shquar italian.

 

“Jam një person që kam një reputacion si i qetë. Shumë më thonë si ia bën të kesh miqësi me lojtarët. Po, unë mund të jem mik me lojtaret, flas me ta, i kuptoj. Por në fund mund t’i them pa problem se nesër nuk do të luash në formacion”, u shpreh Ancelotti, i cili tregoi se në zhvillimin e tij kishin pasur shumë rëndësi lidhja me Arrigo Sacchin dhe periudha dyvjeçare te Juventusi.{

“Unë asnjëherë nuk mohoj mjeshtrin. Sacchi ka qenë… fitova lotarinë kur takova Sacchin. Me Sacchin pata fatin që më peshkoi nga Roma dhe më çoi në një nga skuadrat ndoshta më të mëdha të botës. Përvoja me të nuk ishte aq shumë sa lojtar, por si trajner isha tre vjet asistent i tij dhe aty mësova profesionin. Përvoja të ndihmon në marrëdhënie por ka shumë punë të tjera për të bërë. Nga Sacchi kam mësuar shumë, mendoj që është një nga shkollat më të mira për trajnerë. Pastaj u nisa nga kjo ide dhe gjërat ndryshuan.{

Nga përvojat e mbledhura ndryshoi mënyra e të menduarit kur fillova te Juventusi. Atje nuk dija kë të vija sulmues, kush të luante në krahë. Nga aty fillova të përshtatja sistemin e lojës. Unë mendoj se sistemi i lojës është i rëndësishëm. Në bazë janë parimet. Të gjithë duhet të punojnë. Lojtarët duhet të jenë altruistë, skuadra të ketë rëndësi. Unë kam qejf të theksoj karakteristikat e lojtarëve. Kjo do të thotë që unë duhet të gjej idenë se si ata të përfshihen në lojën që unë bëj. Kjo është të përpiqesh të vlerësosh në mënyrën më të mirë të mundshme”, tregoi Ancelotti.

I ngacmuar me pyetje nga gazetarët e pranishëm në sallë, rreth sugjerimeve se si kombëtarja shqiptare mund të mundte Italinë, Ancelotti preferoi të evitonte një përgjigje.

“Për këtë duhet të mendojë Xhani. Mendoj se hovi që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit është falë punës së Xhanit. Distanca mes skuadrave është ulur shumë, ka bërë një Europian shumë të mirë. Mendoj se çdo skuadër ka objektivin e vet, që lidhet me cilësinë e lojtarëve që keni në dispozicion. Unë mendoj se një skuadër e vogël klubi nuk mund të fitojë Champions, por mundet të bëjë futboll të mirë, zbavitës. Kjo mund të arrihet në çdo skuadër, edhe kjo është një fitore”, tha ai.

Ndërkaq, De Biazi vlerësoi Ancelottin për atë që i kishte dhënë futbollit botëror.

“Unë kam vlerësuar gjithmonë Carlon për aftësinë për të bërë gjëra të mëdha. Pa i rënduar të tjerët, mendoj se kjo është cilësia më e madhe. Ka pasur një mjeshtër të madh, Sacchin, por pastaj karakteri bëri që ta çonte përpara lidershipin në mënyrë të qetë. Sacchi ishte ndryshe, ndërsa ti ke më shumë marrëdhënie me lojtarët dhe mendoj se është empatia që krijohet brenda grupit, krijon gjëra të rëndësishme. Kjo është madhështia e Carlos, si njeri dhe trajner, pas punës së tij është mënyra e tij të menduarit. Me këtë mendësi ka arritur aty lart, ka shëtitur të gjithë Europën dhe ky është vlerësimi më i madh për një kompetent si Carlo. Urime për karrierën dhe për këtë sezon”, ishin fjalët e trajnerit të përfaqësueses.