Ancelotti përballë të shkuarës, Juve për ‘hakmarrje’

Ancelotti përballë të shkuarës, Juve për ‘hakmarrje’

Kur Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut të përballen për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ajo nuk do të jetë hera e parë. Dy klubet, që në renditjen aktuale të UEFA-s zënë përkatësisht vendin e parë dhe të dytë, janë përplasur shpesh në këtë kompeticion dhe bilanci nuk është pozitiv për “Galaktikët”.

Përballjet:

Bajern-Real

Dy prej emrave më të mëdhenj të fubollit europian, në total numërojnë 16 tituj kampionë europe. Bajerni nuk e nisi mirë sezonin, por gradualisht u përmirësua dhe sesa serioz është në ambicien e tij për marrjen e trofeut e tregoi sfida ndaj Arsenalit, e fituar 10-2 me rezultat të përgjithshëm.

Krejt e kundërta ndodhi në kampin madrilen. Skuadra e Zidane e nisi shumë mirë sezonin, por me hyrjen e 2017 u pa një rënie në formë, por që sërish vështirë të mundet.

Në total këto dy skuadra janë përballur plot 22 herë, 11 janë fitoret e Bajernit, 9 të Realit dhe 2 barazime. Përballja e parë daton që në 1976, kur Bajerni fitonte 3-1 në dy takime, ndërsa e fundit është më e freskët (dhe e hidhur për bavarezët). Në 29 prill të 2014, Bajerni i Pep Guardiolas priste në ndeshjen e kthimit në Allianz Arena Realin e Madridit. Ndeshjen e parë e kishte humbur minimalisht 1-0. Kthimi rezultoi akoma më dramatik. Di Maria udhëhoqi Realin në fitoren më të thellë në histori ndaj Bajernit, 0-4 dhe Reali vazhdon rrugën për “La Decima”.

Juventus-Barcelona

Një rikthim i finales së 2015. Në total, dy skuadrat janë përballur 9 herë dhe bilanci historik është lehtë në favor të Juventusit, që ka fituar 4 nga këto përballje, 3 janë fitoret e spanjollëve dhe 2 sfida kanë përfunduar në barazim. Megjithatë, për t’u rikthyer në fitoren e fundit të bardhezinjëve duhet rikthyer në vitin 2003, kur Pavel Nedved eleminonte “Blaugranat”.

Atletico-Leicester

Anglezët nuk janë krejt të panjohur me arenën europiane të futbollit. Në total, dy skuadrat kanë luajtur 4 ndeshje, ku 3 janë fitoret e Atletikos dhe një është ndarë në barazim. Përplasja e fundit ishte për ish-Kupën UEFA në vitin 1997, ku Atletiko fitoi të dyja ndeshjet.

Dortmund-Monako

Kjo është hera e parë që dy skuadrat përballen me njëra-tjetrën. Favoritë konsiderohen gjermanët, por francezët kanë provuar që janë një skuadër e paparashikueshme dhe që i ka qejf surprizat, sidomos me eleminimin e Manchester City.