Analiza/ Letra nga burgu, një hap fals i Albin Kurtit?

Analiza/ Letra nga burgu, një hap fals i Albin Kurtit?

Në kulmin e përplasjeve që kanë kapluar lëvizjen Vetëvendosje, partinë më të madhe të Kosovës dhe sipas të gjitha gjasave subjektin më të sinqertë e më shpresëdhënës të krejt trojeve shqiptare, më në fund është shprehur edhe lideri i saj Albin Kurti.

Kurti që gjendet i burgosur për gazin lotsjellës të hedhur në parlament, nuk kishte folur asnjë fjalë, që kur sherret në Vetëvendosje shpërthyen në publik. Ishte një nga figurat kryesore të kësaj partie, nënkryetare e kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, të cilës i doli në media një mesazh për arrestimin e Kurtit: “E burgosën atë mutin”?

Kaq u desh që gjithçka të shpërthente. Besnikët dhe militantët e Albinit u hodhën në sulm kundër grupit që dënonte kultin e tij në parti. Ata deklaruan se do ta braktisnin lëvizjen nëse Albini kandidon edhe njëherë tjetër si kryetar.

Mes tyre me sa duket është rreshtuar edhe kryetari “de facto” i Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Në një letër që i dërgonte sot forumit më të lartë të partisë të mbledhur me urgjencë (në të cilin ai refuzoi të merrte pjesë) Ymeri u shpreh: “Ne i jemi besnikë idesë, jo njeriut”.

Pra në mbledhjen e sotme të thirrur me urgjencë pritej me kërshëri qëndrimi që do të mbante lideri i padiskutueshëm i kësaj partie. A do të fillonte ai një gjueti shtrigash? A do të bashkohej me korin e militantëve që kërkonin linçimin e kundërshtarëve të tij? A do të kishte si busull tolerancën dhe dialogun apo do të sillej ndryshe nga të gjithë liderët e zakonshëm të partive shqiptare?

Me sa duket, Albini e humbi një shans për të qenë sa më pranë imazhit të idealizuar të atyre që e imagjinojnë si perfekt. Në letrën e tij nga burgu (lexoje të plotë poshtë) ai u soll si një politikan qëllimi imediat i të cilit është të shkatërrojë pengesën që i ka dalë përpara. Ai nuk pati forcë t’i dënojë zërat e ekstremistëve brenda partisë. Ai bëri sikur e fali Aida Dërgutin, por i ftoi njerëzit e tij të kërkonin skenarin që e kishte bërë atë të sillej në atë mënyrë.

“Nuk është problemi te gjuha që ka përdorur Aida. Nuk më ofendojnë fjalët që ajo ka thënë. E fal edhe sikurse të mos më kishte kërkuar falje. Personalisht ajo nuk më ka kurrfarë borxhi mua. Unë jam çuditur shumë e zhgënjyer thellë për qasjen destruktive, për dëshirën për arrestimin që na u bë, për linjën e posaçme të komunikimit prapa shpinës së organeve të VETËVENDOSJE!-s. Thelbi nuk është fjalori i saj, por kjo ndjenjë armiqësore ndaj meje, ky komunikim tinëz e kush e di për çfarë qëllimesh, e që janë fort shqetësuese” – ka thënë sot Albin Kurti në letrën nga burgu.

Dhe më pas në paragrafin që pason ai lë të kuptohet se ka një konspiracion më të madh dhe se duhen gjetuar gjurmët e atyre që e paskan çuar Aida Dërgutin drejt kësaj qasjeje.

“Aida nuk hyn as në 5, as në 10, as në 50 aktivistët e VETËVENDOSJE!-s me të cilët unë kam pasur mospajtimet më të theksuara. Si erdhi ajo në këtë pikë? Nuk kam shpjegim tjetër, përveçse mashtrimin. Që do të thotë se nuk është ajo fajtore”.

Pas këtyre fjalëve, çdokush nga ata që nuk e duan Albin Kurtin mund të bënte paralelizëm me metodat staliniste të kërkimit të armiqve. Çdo kush mund të kujtonte metodat Hoxhiste që faji nuk është i rastësishëm dhe duhen kërkuar komplotistët që kanë pasur një qëllim të mbrapshtë.

Dhe pikërisht sikur ta dinte se mund të kish ndodhur kështu, kryetari zyrtar i Vetëvendosjes, Visar Ymeri që nuk mori pjesë në mbledhjen e kësaj të diele, iu drejtua asaj me këto fjalë: “Natyrisht që njerëzit e angazhuar edhe gabojnë. Dhe gabimet duhen vënë në pah dhe duhen trajtuar. Por të trajtohen si gabime. Në momentin kur gabimit i mëveshët dyshimi për motivet, kur nuk ka kurrfarë arsye për një gjë të tillë, atëherë gabimi merr tjetër kuptim. Dhe trajtohet ndryshe. Dhe nuk gjen zgjidhje. Vetëm sjell probleme të reja. Vetëm sa na largon nga njëri -tjetri”.

Dhe kësaj filozofie Ymeri i vuri emrin: “metodë e eliminimit politik”.

A ka rënë edhe Albin Kurti në kurthin e të gjithë liderëve autokratë që flasin në emër të turmave, që nxisin ekstremizmin e tyre dhe që në fund shohin linçimet si të vetmen rrugë për të shkuar përpara?

Dyshimte janë tepër të forta pas letrës së tij nga burgu këtë të dielë. Ai bëri thirrje të hapur për gjueti shtrigash kundër atyre që qëndrojnë pas fjalorit banal të Aida Dërgutit, dhe as nuk tentoi të frenojë linçuesit e tyre. Ka disa pasazhe të letrës që flasin qartë për këtë: “Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi” shkruan Kurti në një pasazh, kurse në një tjetër shton se për VV: “Të gjithë janë të nevojshëm, askush nuk është i domosdoshëm”.

Por megjithatë, për të gjithë ata që duan të ruajnë në mendje, imazhin e idealizuar të Albinit, një shpresë mbetet ende. Në fund të letrës së tij, lideri shpirtëror i Vetëvendosjes lëshonte një sinjal tolerance: “Duke diskutuar hapur dhe në forumet e Lëvizjes sonë, kontribuojmë që të zvogëlohet mjegullimi i mendjeve dhe helmimi i zemrave të aktivistëve tonë. Të flasim për të gjitha temat e dilemat, bashkë dhe shterueshëm, pa kushtëzime dhe pa paragjykime”.

Kjo do të është në fakt rruga më e mirë. Ajo do ta shpëtonte Vetëvendosjen nga lufta vrastare brenda llojit. Ajo do t’i ndalte ulërimat joshëse të sirenave që duan ta fusin liderin në rrugën pa kthim të linçimeve. Ajo do t’i bënte të gjithë të reflektonin.

Sepse Vetëvendosja, tani që është bërë partia më e madhe në Kosovë, tani që ka arritur një rezultat të paimagjinueshëm në dy palë zgjedhje, nuk e ka luksin të veprojë nën diktaturën e urgjencës. Nuk e ka privilegjin të marrë mbi vete dyshime për ekstremizëm. Nuk e ka kohën për të ngrënë bijtë e saj. Sepse ajo ende nuk e ka përfunduar Revolucionin.