Analistët: Dialog kryeministrash, jo presidentësh

Analistët: Dialog kryeministrash, jo presidentësh

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të kalojë në nivel presidentësh, pasi që, siç thonë ata, do të diskutohet për infrastrukturë, arsim, shëndetësi, etj.

Sipas tyre, dialogu duhet të zhvillohet nga ekipe me ekspertë të fushave dhe të drejtohet apo të mbikëqyret nga kryeministri i ri.

Dialogu Kosovë – Serbi, i nisur para 6 vjetëve dhe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duhet të udhëhiqet nga kryeministrat e dy vendeve dhe mos të kalojë në nivel presidentësh, kështu thonë njohësit e çështjeve politike, duke i komentuar disa deklarata se dialogu mes dy vendeve duhet të kalojë në nivel presidentësh tashmë kur në krye të këtyre institucioneve në Kosovë dhe në Serbi janë ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Thaçi para më shumë se një viti është zgjedhur president i Kosovës, pasi ka mbajtur dy mandate si kryeministër, ndërsa Vuçiq ditë më parë është betuar si president i Serbisë, duke kaluar po ashtu nga ekzekutivi i Serbisë.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, thotë për “Zërin” se pasi që Ramush Haradinaj ta marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, dialogu mes dy vendeve do t’i nënshtrohet një rikapitullimi.

“Nuk do të ketë rinisje të dialogut pa u bërë një rikapitullim i së kaluarës së tij. Pastaj është esenciale që të bëhet një kohë kornizë sa do të zgjasë tutje, duhet të parashihet njohja reciproke, temat duhet të jenë në nivel shtetesh, e jo siç ka qenë deri tani”, ka deklaruar Lekaj, duke shtuar se ka një mori çështjesh që duhet të riorganizohen në kuadër të dialogut.

Në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të fillojë pa një rishikim të thellë.

“Dialogu i vjetër, ai i viteve 2011-2017, ka katër muaj që është ndërprerë. Ai dialog nuk duhet rifilluar verbërisht. Në të ka pasur shumë investim me pak dobi dhe jo pak dëme. Nga ai dialog Kuvendi i Kosovës ka qenë ose i përjashtuar, ose i keqpërdorur”, ka thënë Kurti..