Ana tjetër e Stadiumit Kombëtar – ku do të merren milionat për financimin

Qeveria e re e Kosovës nuk i ka vazhduar negociatat me Qeverinë e Hungarisë për projektin e Stadiumit Kombëtar. Ministria e Sportit ende nuk ka njoftuar për financimin e stadiumit. Ndërkaq, ish-ministri i Sportit Kujtim Shala rrëfen për bisedimet që kishte pasur me përfaqësues të Qeverisë së Hungarisë.

Ana tjetër e Stadiumit Kombëtar – ku do të merren milionat për financimin

Vetëm një ofertë konkrete ka marrë Qeveria e Kosovës për financimin e Stadiumit Kombëtar: Qeveria e Hungarisë i kishte prezantuar qeverisë kosovare një projekt për ndërtimin e këtij stadiumi përmes një kredie të favorshme në Bankën Shtetërore të Hungarisë.

Negociatat mes dy qeverive kishin nisur në verën e vitit 2016, për ndërtimin e stadiumit që si model do të kishte “Groupama Arena” – stadiumin kombëtar të Hungarisë që është ndërtuar para tri vitesh.

Në një intervistë dhënë Insajderit, Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz ka thënë se oferta hungareze për stadiumin qëndron ende, teksa ka rrëfyer për negociatat e zhvilluara mes dy qeverive.

“Hungaria është e gatshme të ofrojë përvojat e qeverisë në ndërtimin e stadiumit dhe firmat hungareze janë gjithashtu të gatshme të ofrojnë ekspertizën e tyre”, thotë Márkusz, teksa publikisht i bën ofertë Qeverisë së Kosovës për projektin e ndërtimit të Stadiumit Kombëtar.


Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz

Megjithatë, fakti se një marrëveshje mes Hungarisë dhe Kosovës për projektin dhe financimin e tij nuk është arritur, ka bërë që mënyra e financimit të Stadiumit Kombëtar – për të cilin u bë zhurmë e madhe rreth ndërrimit të lokacionit të tij nga Prishtina në Drenas – të mos dihet ende.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një vizite zyrtare vitin e kaluar në Hungari, kishte vizituar edhe stadiumin “Groupama Arena”. Kishte thënë se Stadiumi Kombëtar i Kosovës do të ndërtohej “shumë shpejtë” përmes kredisë që do të jepej nga Hungaria.

“Stadiumi i përfaqësueses së Kosovës do të fillojë të ndërtohet shumë shpejt, sapo ta përmbyllim marrëveshjen me shtetin hungarez, i cili do të na mundësojë një kredi me interes shumë të ulët për ndërtimin e stadiumit të përfaqësues tonë në futboll”, kishte thënë Veseli.

Por, Ambasadori hungarez Laszlo Markusz ka thënë se që prej ardhjes së qeverisë së re në Kosovë, në shtatorin e këtij viti, negociatat mes dy qeverive janë ngadalësuar.

“Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të këtij viti padyshim e kanë ngadalësuar ritmin e negociatave të tilla”, deklaroi Ambasadori hungarez. “Kemi pasur biseda joformale, por jo negociata serioze dhe veçanërisht asnjë marrëveshje në diçka deri më tash”.

E, ish-ministri i Sportit, Kujtim Shala ka zbuluar se përveç ofertës së Qeverisë së Hungarisë, në adresën e Ministrisë së Sportit nuk kishte arritur asnjë ofertë/projekt tjetër.

Insajderi ka provuar të kontaktojë dhe i ka dërguar pyetje ministrit të Kulturës, Rinisë dhe të Sporteve, Kujtim Gashi, për të marrë informata rreth mënyrës se si do të financohet Stadiumi Kombëtar, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Shala: Negociatat me Hungarinë nuk u përmbyllën – shkak votëbesimi i Qeverisë


Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala ka thënë se plani për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës kishte kaluar disa faza të rëndësishme. Ai tregon për negociatat me Qeverinë e Hungarisë dhe për mënyrën se si qeverisja e kaluar kishte planifikuar ta ndërtonte stadiumin.

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, Shala ka treguar se në cilën fazë e kishte lënë projektin për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar në Bërnicë.

“Derisa isha ministër, qe hapur tender ndërkombëtar për studimin e fizibilitetit të lokacionit në Bërnicë të Poshtme (Prishtinë). Patën konkurruar nëntë kompani të huaja. Në këtë fazë ka qenë ky projekt në kohën kur unë e kam lënë detyrën e ministrit”, ka thënë Shala për Insajderin.

Shala, i cili kishte shërbyer edhe si zëvendëskryeministër në Qeverinë Mustafa, thotë se plani për financimin e stadiumit parashihte marrjen e një kredie të favorshme. Shala thotë se qeveria kishte ndarë një shumë prej 7 milion eurove për t’i kontribuar projektit.

“Ne patëm planifikuar që stadiumi të ndërtohej me mjetet një kredie të favorshme dhe me pjesëmarrjen e Qeverisë sonë. Në Ligjin e Buxhetit 2017 ne patëm siguruar pjesën tonë të financave, në rreth 7 milionë euro”, deklaroi Shala.

Po ashtu, ish-ministri i Sportit ka rrëfyer për negociatat me Qeverinë e Hungarisë dhe vizitat që kishte kryer në Budapest për këtë çështje.

“Unë kam qenë në vizitë zyrtare në Budapest dhe jam takuar me zv/ministrin e Jashtëm, që është përgjegjës për financat, dhe me ministren e Sportit të Hungarisë, me të cilët, pos tjerash, kam biseduar edhe për mundësinë e marrjes së një kredie për ndërtimin e Stadiumit Nacional ‘Dardania Arena’”, ka thënë ai.

Për mosarritjen e një marrëveshje mes dy qeverive, Shala e bën “fajtor” mocionin e mosbesimit që e rrëzoi Qeverinë Mustafa.

“Negociatat nuk qenë përmbyllur, për shkak të votëbesimit të Qeverisë”, deklaroi Shala.

“Po ashtu, për këtë çështje kanë biseduar edhe ish-kryeministri Mustafa dhe kryeministri Orban, në maj të vitit 2016, në Budapest”, tregon ish-ministri nga radhët e LDK-së.

Në këtë intervistë me Insajderin, Kujtim Shala zbuloi se përveç ofertës së Qeverisë së Hungarisë, në adresën e Ministrisë së Sportit nuk kishte arritur asnjë ofertë/projekt tjetër.

Ministria nuk konsultohet me FFK-në për zhvendosjen e lokacionit të stadiumit


Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri

Javën e kaluar, ministri i Sportit, Kujtim Gashi njoftoi se lokacioni i Stadiumit Kombëtar do të zhvendoset nga Bërnica e Prishtinës, në Korreticë të Drenasit. Për këtë ndërrim të lokacionit, ai dha disa arsye.

“Ne jemi duke e analizuar, pasi mundësi pak më e mirë po na duket Drenasi, për shkak se e ka aeroportin afër, autostradën, dhe gjitha. Dhe është në mes të Kosovës. Do të thotë është një ide që po na pëlqen edhe neve”, është shprehur Gashi javën e kaluar, në një intervistë me Gazetën Express.

Por, për një vendim të tillë thotë të mos jetë njoftuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Shefi i FFK-së i tha Insajderit se Ministria e Sportit nuk është konsultuar me federatën për projektin e Stadiumit Kombëtar.

“Ne zyrtarisht nuk jemi informuar ende për këtë vendim dhe për arsyet e zhvendosjes së lokacionit. Momentalisht nuk mund të them asgjë pa i marrë zyrtarisht arsyet dhe fundi i fundit, federata nuk ka qenë e konsultime as atëherë as tash”, ka thënë Vokkri për Insajderin.

Vokrri ka thënë se për FFK-në është me rëndësi që të bëhet Stadiumi Kombëtar, pa dashur të jap preferencë se ku do dëshironte të ndërtohej ky stadium.

“Ata [Qeveria e Kosovës] janë financues përmes fondeve ndërkombëtare, për në është me rëndësi që të bëhet stadiumi. Për mua do të kishte më shumë rëndësi që të thirren ekspertët për të propozuar lokacionin”, ka deklaruar Vokrri.