Historia e kombeve është e karakterizuar kryesisht nga uniformiteti etnik dhe racor, jo nga diversiteti. Shumica e kufijve kombëtarë kanë reflektuar homogjenitetin gjuhësor," />

Amerika-Përjashtimi i historisë

Ne duhet të kërkojmë të përpiqemi idealet që e bënë Amerikën të suksesshme

Amerika-Përjashtimi i historisë

Historia e kombeve është e karakterizuar kryesisht nga uniformiteti etnik dhe racor, jo nga diversiteti. Shumica e kufijve kombëtarë kanë reflektuar homogjenitetin gjuhësor, fetar dhe etnik. Deri në fund të shekullit të 20-të, diversiteti konsiderohej një barrë, jo ​​një pikë e fortë. Vendet dhe shoqëritë që ishin etnikisht homogjene, si fiset e lashta gjermane apo Japonia moderne, mendonin se ato ishin në thelb më të qëndrueshme dhe më të sigurta se alternativa, qoftë Roma perandorake, qoftë Amerika moerne. Shumë shoqëri krijuan fjalë për të nxjerrë në pah pastërtinë e tyre racore.

Ndonjëherë, “Volk” në gjermanisht dhe “Raza” në spanjisht (dhe “Razza” në italisht) nënkuptonte më shumë se vetëm gjuhën, vendbanimin ose kulturën e përbashkët. Ato fjalë përfshinin gjithashtu një esencë racore. Edhe sot, do të ishte e vështirë për disa japonezë që të pranohen plotësisht si qytetar meksikan, ose për një meksikan të lindur në vendin e tij, që të emigrojë dhe të bëhet qytetar japonez.

Shumë kultura e reflektonin dyshimin e tyre ndaj diversitetit, duke përdorur emra pezhorativë për “tjetrin”. Në hebraisht, “goymët” ishin të gjitha kombet dhe popujt jo-hebrenj. “Odari” në gjuhën armeniane tregonte pjesën tjetër të botës, që nuk ishte etnikisht armene. Për japonezët, “gaijin” janë ata që sipas kombësisë, përkatësisë etnike dhe racës nuk mund të bëhen plotësisht japonezë. Në Spanjën kastiliane të shekullit të 18-të, “gringo” nënkuptonte çdo folës jo-vendas të spanjishtes.

Shtetet e Ballkanit ishin fuçitë e barutit të luftërave botërore të shekullit të 20-të, sepse grupet e ndryshme donin të ndryshonin kufijtë kombëtarë, për të pasqyruar etnitë e tyre të ndara. Premisa e Gjermanisë naziste ishte që të përfshinte të gjithë “Volk”-ët gjermanë në një “Reich” të gjerë racor dhe gjuhësor, edhe nëse kjo do të thoshte shkatërrim i kufijve kombëtarë të Austrisë, Çekosllovakisë dhe Polonisë. Kushtetuta e Meksikës, në mënyrë të paracaktuar i predikon politikat kombëtare të emigracionit, për të mos rrezikuar përbërjen etnike të Meksikës.

Shumë shtete, të lashta dhe moderne, që janë përpjekur të bashkojnë fise të ndryshme, zakonisht kanë shkuar keq. Republika Romake e Italisë zgjati rreth 500 vjet. Në të kundërt, Perandoria Romake shumëracore, pas Urdhërit të Caracallës në vitin 212, i bëri të gjithë popujt e saj të ndryshëm, që të jetonin si qytetarë të barabartë. Dhe kjo zgjati jo më shumë se dy shekuj (shpesh herë të dhunshëm).

Perandoritë e ndryshme, etnikisht të larmishme, si ato të Austro-Hungarezëve, Osmanëve dhe Sovjetikëve, përdorën forcën vdekjeprurëse për të ndalur grindjet dhe vrasjet mes njëri-tjetrit. Shtete moderne si Ruanda shumëkulturëshe ose shumëfisnore, Iraku dhe Libani kanë dëshmuar shpesh dështime vdekjeprurëse. Europa po përpiqet të imitojë kulturën shumëracore, por të unifikuar të Shteteve të Bashkuara. Por Bashkimi Europian mund të shpërbëhet duke u përpjekur të asimilojë miliona emigrantë të ndryshëm, të cilët hezitojnë të asimilohen plotësisht.

Amerika nuk është rregulli, por përjashtim i historisë. Filloi si një republikë e themeluar nga emigrantë evropianë. Ashtu si qytetarët homogjenë të shumicës së kombeve të tjera, me shumë gjasë, ata ishin në një trajektore për të përfshirë identitetin racor si shenjë të shtetësisë. Por logjika përfundimtare e Kushtetutës unike të Amerikës ishte e ndryshme. Kështu që, Shtetet e Bashkuara u zhvilluan për t’i përcaktuar amerikanët përmes vlerave të tyre të përbashkëta, dhe jo me pamjen e tyre të jashtme. Përfundimisht, kushdo që ishte i gatshëm të hiqte dorë nga identiteti i mëparshëm dhe të bëhej një “njeri i ri amerikan”, u bë amerikan. Shtetet e Bashkuara e kanë ruajtur gjithmonë idenë e pluribus unum – përzierjen e popujve të ndryshëm në një të vetëm, nëpërmjet asimilimit, integrimit dhe martesave të ndërsjellta.

Kur emigracioni u vu nën kontroll, u mat dhe u shoqërua me një qasje të sigurt për asimilimin, Amerika lulëzoi. Grupe të ndryshme etnike e pasuruan Amerikën me art, ushqim, muzikë dhe letërsi të ndryshme, duke pranuar një kulturë të përbashkët, të vlerave dhe institucioneve amerikane. Problemet u shfaqën vetëm kur emigracioni ishte shpesh i paligjshëm, në masë dhe pa vënë theksin tek asimilimi. Dikur në fund të shekullit të 20-të, Amerika hoqi dorë nga multiracizmi nën një kulturë të përbashkët dhe vendosi të zgjedhë në vend të tij, multikulturalizmin, ku secili grup i veçantë etnik ruajti shovinizmin fisnor dhe e pa veten të ndarë nga e tëra.

Emrat e ndarë me vizë në mes, papritmas u bënë popullorë. Qeveria gjurmonte linjën etnike shpesh herë të ndërlikuar të amerikanëve. Punësimet dhe pranimet në kolegje ndonjëherë u bazuan në prejardhje dhe kuota racore. Gjykatat vendosnin që diskriminimi i tanishëm ishte një kompensim i lejuar për diskriminimin e kaluar. Shkollat ​​filluan të mësonin se ndryshimi dhe diversiteti ishin të preferuara, ndaj ngjashmërisë dhe unitetit. Edgar Allan Poe dhe Langston Hughes u kategorizuan si “meshkuj të bardhë” ose “të zinj” dhe jo si “amerikanë”.

Diskriminimi në të kaluarën dhe padrejtësia mund të shpjegojnë reagimin e tanishëm kundër unitetit shumëracor. Dhe idealizmi i lartësuar i Amerikës e ka bërë atë të kritikohet si “më pak se shumë e mirë”, ndërkohë që nuk ka qenë asnjëherë e përsosur. Sidoqoftë, për ata që e shohin Amerikën të bëhet një shtet multikulturor fisesh të pa-asimiluara dhe grupesh raciale konkurruese, historia nuk do të jetë e mirë. Historia e multikulturalizmit shtetëror është një histori mosmarrëveshjesh, dhune, kaosi dhe shpërthimi së brendshmi. Deri më tani, Amerika ka dalë kundër kësaj dhe ka mbetur multiracore dhe jo multikulturore, duke u bërë kështu kombi më i fuqishëm në botë. Duhet të kujtojmë se diversiteti është një zbukurim, por uniteti është forca jonë.

Victor Davis Hanson është historian në Institutin Hoover, Universitetin e Stanfordit dhe autor i librit më të fundit “Gjeneralët shpëtimtarë”

Marë nga Instituti Hoover – Përgatiti: Bota.al