Ambientalistët nga Kosova i dalin në mbrojtje Valbonës

Ambientalistët nga Kosova i dalin në mbrojtje Valbonës

Aktivistët e organizatës jo qeveritare ambientaliste dhe malore “ Exploring” në Kosovë, kanë organizuar një aksion simbolik për mbrojtjen e mjedisit në Parkun Nacional të Valbonës, ku kanë shprehur pakënaqësinë për dëmtimin e lumit të Valbonës në Shqipëri.

Me këtë rast, kryetari i Exploring, Blerim Bytyçi, i ka thënë Insajderit se shkatërrimi i lumit të Valbonës përmes ndërtimit e hidrocentraleve është e pa pranueshme.

“Organizmi ka qenë me mbi 130 persona dhe është organizuar me vetë financim sepse mbrojtja e ambientit është obligim i çdo njërit”, ka theksuar Bytyçi.

Aktivistët kanë mbajtur në duar edhe pankarta me mbishkrimet “Jo shkatërrimit të zonës”, “jo shkatërrimit të natyrës”, “Kryeministër Edi Rama ndalo krimin në Valbonë”, e të tjera.

Ndërkohë Journeytovalbona.com shkruan se shkon në 16 numri i hidrocentraleve mbi lumin Valbonë, 10 prej tyre brenda Parkut Kombëtar.

Po ashtu sipas tyre në këtë zonë operojnë rreth dy kompani me koncesion dhe licencë, numri i të cilave shkon me mbi 13 hidrocentrale mbi lumin Valbonë, ku 7 prej tyre ndodhen brenda zonës së mbrojtur.

Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës, dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh./Insajderi.com