Ambasadorja që mori “bekimin” e Thaçit nuk mori asnjëherë rrogë

Ambasadorja që mori “bekimin” e Thaçit nuk mori asnjëherë rrogë

Ambasadorët e Kosovës të cilët gjenden nëpër vendet e botës marrin pagë mbi 3 mijë euro. Mirëpo, njëjtë nuk po ndodhë edhe me një diplomate e cila vitin e kaluar mori bekimin për tu emëruar ambasadore në Vatikan.

Bukurije Gjonbalajn e cila në nëntor të 2016-ës është dekretuar nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, nuk merr asnjë cent nga shteti i Kosovës. E gjitha kjo për shkak pasi  Gjonbalaj aktualisht nuk ka zyre në Selinë e Shenjtë dhe se punët që ka për t’i kryer i bën në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë.

“Jam non-stop në kontakt me Vatikanin. Jo, nuk marrë pagë sepse është vendos nga MPJ-ja që paga do të merret në momentin kur të shkojmë atje, fizikisht. Por të gjitha punë janë duke funksionuar. Është Zyra koordinuese në Ministri që prej tetorit të vitit të kaluar por tjetër është se unë nuk kam qejf që senet me i bë aq të mdhaja. Kam qejf me kry punë për atë që jam e obligime por ashtu “mos mu fry shumë”, s’jam asi njeri”, ka thënë ajo për “Indeksonline”.

Megjithatë, diplomatja kosovare tregon se deri në hapjen e ambasadës atje do të marrë kohë. Mirëpo, thotë se është në kontakte të vazhdueshme Selinë e Shenjtë.

“Procedurat zgjatin sikur nga ana jonë po ashtu edhe nga ana e tyre duke marrë parasysh specifikat e marrëdhënieve midis dy shteteve. Unë për vete jam shumë kënaqur me mënyrën si ka shku gjithë procesi dhe shpresojmë që në të ardhmen të vazhdojë me “këmbë të mbarë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Gjonbalaj e cila për një kohë të gjatë ishte ambasadore në Romë nuk la pa përmendur edhe faktin se në Vatikan nuk ka asnjë Ambasadë të huaj pasi aty s’ka territor. Pra, të gjitha ambasadat që janë të akredituara, ajo thotë se, janë jashtë mureve të Vatikanit. Kështu që kjo ja shton zgjatjen edhe specifikave.

“Unë duhet me gjet një zyre e cila tani duhet të regjistrohet në shtetin Italian”, ka thënë në fund ajo.