Ambasadorja gjermane kërkon ratifikimin e demarkacionit

01.03.2017 21:20
Ambasadorja gjermane kërkon ratifikimin e demarkacionit

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, ka bërë thirrje që të votohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë që të ketë edhe liberalizim të vizave. Këtë thirrje ambasadorja e Gjermanisë e ka bërë nga Ferizaj, ku është takuar me kryetarin e Komunës, Muharrem Sfarqa.

Sipas një njoftimi të Komunës së Ferizajt, ambasadorja Viets ka thënë se të gjitha zhvillimet që shohim janë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e nënshkruar në tetor të vitit 2015 dhe e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016.

“Ajo çfarë ne e shohim në Marrëveshjen e Stabilizimit Associmit është që kjo sjell ndryshime të mëdha për qytetarët e Kosovës, por drejtimi kryesor që duhet ta marrë Kosova nëpërmjet implementimit të MSA-së do të jetë standardizimi, vlerat evropiane nëpërmjet të cilave Kosova do të afrohet me BE-në dhe mendoj që ky është një hap shumë i suksesshëm drejt përafrimit me Bashkimin Evropian”, tha Viets.

Në njoftimin e publikuar nga Komuna e Ferizajt thuhet se ambasadorja gjermane ka theksuar se në kuadër të kësaj Marrëveshjeje bën pjesë edhe liberalizmi i vizave, sepse, sipas saj, për t’u afruar me Bashkimin Evropian së pari duhet të mësohen standardet që të arrihen dhe për këto ndryshime është i nevojshëm edhe shkëmbimi dhe pikërisht për këtë janë vizat.

Sipas njoftimit, Angelika Viets ka thënë se kryetari Muharrem Sfarqa ka arritur edhe rezultate të mira, duke bërë që Ferizaj të jetë njëri ndër qytetet më të fuqishme në Republikën e Kosovës.

Më tej, në njoftim thuhet se Sfarqa ka përkrahur idenë e ambasadores së Gjermanisë që të bëhet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Njoftimi citon kryetarin Sfarqa të ketë thënë se me ambasadoren gjermane ka biseduar për tema me interes, sidomos të fushës ekonomike, njofton gazetaexpress.

Më 20 shkurt, edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, u bëri thirrje deputetëve kosovarë të bëjnë çmos që ta ratifikojnë Demarkacionin.

Kërkesë të ngjashme ka pasur edhe raportuesja tjetër e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, në nëntor të vitit të kaluar.

Marrëveshja e demarkacionit doli para deputetëve, por u tërhoq më 1 shtator 2016.