Ambasadori turk: Gylen dhe FETO përbëjnë rrezik kombëtar për Shqipërinë

Ambasadori turk: Gylen dhe FETO përbëjnë rrezik kombëtar për Shqipërinë

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, ka deklaruar se pret nga Shqipëria që të ndërmarrë hapa konkretë kundër shtrirjes së organizatës terroriste Fetullahçı (FETO) në këtë vend. Ai e ka cilësuar “organizatën e ngritur nga Fetullah Gylen, i cili është vetëm me shkollë fillore, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.

Ai ka vënë në dukje se organizata terroriste FETO, në shkollat e saj në Shqipëri ka aktivitete të cilat mund të konsiderohen si një laborator i shpëlarjes së trurit. Ambasadori Bayraktar thotë se një sistem i tillë është një rrezik real për të ardhmen e fëmijëve shqiptarë dhe Shqipërisë, ndërsa paralajmëron familjarët dhe shtetin që të marrin në konsideratë këtë situatë gjatë procesit të regjistrimeve të këtij viti.

Ambasadori ka rikujtuar se diplomat e atyre që përfundojnë studimet në shkollat e FETO-s nuk njihen nga Turqia dhe se as nuk do të njihen në të ardhmen. Ai shton më tej se nëse një nxënës përfundon studimet në këto shkolla, nuk do të ketë mundësi të vazhdojë studimet universitare në Turqi dhe se ata që kanë përfunduar universitetin e tyre këtu në Shqipëri, nuk do të cilësohen si të diplomuar në universitet, ka thënë ai për Anagolu Agency.

Bayraktar më tej thotë se është shumë i lënduar për shkak të dëmtimit të imazhit të Turqisë dhe turqve në sytë e shqiptarëve për shkak të FETO-s.

“Shqipëria është vendi ku FETO është më aktivja në Ballkan. Disa institucione arsimore, shëndetësore, tregtare, fetare dhe të shoqërisë civile, janë kapluar nga virusi i FETO-s”, thotë ai.

Duke vënë në dukje se ata janë ende në pritje që Shqipëria të hedhë hapa konkrete në drejtim të degëzimeve të FETO-s në Shqipëri, ambasadori i Turqisë në Tiranë thotë se “shumë institucione të FETO-s në shumë shtete u mbyllën ose drejtimi i tyre ndryshoi”.

“Organizata terroriste e ngritur nga Fetullah Gylen i cili nuk është gjë tjetër vetëm se një person me shkollë fillore, është një kërcënim i madh edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”, shton ai.

Bayraktar më pas ka shtuar se Fondacioni i Turqisë, Maarif, i cili është një institucion zyrtar i Turqisë, shumë shpejt do të hapë shkollat e vërteta turke në Shqipëri dhe se momentalisht është duke punuar për fizibilitetin e tyre.

“Shkollat do të ofrojnë një shërbim arsimor shumë cilësor për të rinjtë shqiptar, me mësuesit më të mirë dhe mjetet më moderne dhe mbi të gjitha nuk do të kenë në asnjë mënyrë një synim të errët. Me këtë sistem të rinjtë shqiptar do të kenë mundësi të marrin një arsim më cilësor dhe më të lirë”, u shpreh ndër tjera ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar.