Ambasadori i ShBA-së: Ivanov të shqyrtojë vendimin për mosmandatimin e Zaevit

Ambasadori i ShBA-së: Ivanov të shqyrtojë vendimin për mosmandatimin e Zaevit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, Jess Baily, i bëri thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që të shqyrtojë vendimin për të mos mandatuar liderin e Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, për kryeministër të Maqedonisë.

Baily tha se vendimi i Ivanovit nuk përputhet me parimet demokratike dhe sundimin e së drejtës si vlera thelbësore për integrimin euroatlantik të këtij vendi.

“Si partnerë dhe miq strategjikë të Maqedonisë, duke e respektuar plotësisht edhe sovranitetin e shtetit, i bëjmë thirrje presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të jenë të përmbajtur dhe të tregojnë konstruktivitet, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në Maqedoni “, tha Baily.

Vendimin për të mos mandatuar Zaevin për kryeministër, Ivanov e arsyetoi me platformën e partive shqiptare, e cila, sipas tij, rrënon sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit, shkruan REL.

Platforma synon zgjidhjen e të drejtave etnike të shqiptarëve dhe pjesë të saj, në veçanti ajo për zyrtarizmin e shqipes, u bënë pjesë e marrëveshjes mes LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim për formimin e qeverisë së re.