Ambasadori gjerman tregon se si të arrihen rezultate pozitive në PISA

01.11.2017 11:26
Ambasadori gjerman tregon se si të arrihen rezultate pozitive në PISA

Cilësia e përmirësimit të arsimit në Kosovë nuk duhet të jetë e varur vetëm nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Që të ketë rezultate pozitive në PISA, duhet të kenë një angazhim të veçantë edhe prindërit.

Në një konferencë e cila u mbajt sot me rastin e lanësimit të fushatës për “arsim më të mirë në Kosovë”, ministri i ri i arsimit Shyqyri Bytyqi, kërkoi mbështetje edhe nga dikasteret tjera të shtetit që cilësia e arsimit në Kosovë të jetë më cilësore.

Përveç ministrit në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë, Kristian Helf. Të dy theksuan se arsimi në Kosovë nuk është vetëm brengë e Ministrisë së Arsimit, raporton Insajderi.

“Të rinjtë e Kosovës e meritojnë një treg të punës i cili do të jetë i pranueshëm edhe në tregun vendor e po ashtu edhe ndërkombëtar. Por për këtë duhet një mobilizim i të gjithëve jo vetëm i Ministrisë së Arsimit, si prindërit, arsimtarët, komunitet e biznesit, shoqëria civile, do të duhet të bëjnë më të mirën e mundshme”, është shprehur ministri Bytyqi.

Po ashtu ai theksoi se në qeverisjen e tij mësimdhënësit do të shkojnë shumë më të përgatitur në orët mësimore.

“MASHT ka trajnuar mësimdhënës mirëpo që nuk janë të mjaftueshme, dhe ne do të bëjmë më shumë që ata të shkojnë më të përgatitur në mësim. Kjo fushatë ka për qëllim që të ketë qasje më të ndryshme në arsim”, ka theksuar ministri.

Po ashtu edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Kristian Helf u shpreh se është i impresionuar me të rinjtë në Kosovës, duke theksuar se aseti kryesor i Kosovës janë të rinjtë dhe se të ketë rezultate pozitive në PISA duhet të angazhohen edhe prindërit

“Duhet të punojmë vazhdimisht në aspektin e arsimit, besojmë në gjeneratat e reja të Kosovës që janë asetet kryesore të Kosovës, nuk është vetëm sfidë e ministrisë së arsimit dhe qeverisës komunal por është edhe një nga brengat edhe të fëmijëve dhe njerëzit duhet të sigurohen që edhe prindërit duhet të zbatojnë korikulën dhe të jenë aktiv brenda klasës dhe jashtë klasës”, ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë.

Në testin e fundit të publikuar të PISA-s, Kosova u rendit e fundit në Ballkan, e fundit në Evropë dhe në vendin e tretë nga fundi mes 72 vendeve që morën pjesë në nivel botëror, në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD). /Insajderi.com