Ambasadori Delawie reagon sërish për ushtrinë

10.03.2017 18:50
Ambasadori Delawie reagon sërish për ushtrinë

Pak pasi Hashim Thaçi deklaroi se do të japë dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës nëse nuk kalon ligji për ushtrinë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie ka thënë se Kosova nuk duhet të bëjë lëvizje pa partnerët kyç.

Pas deklaratës së Ambasadës amerikane në Prishtinë, të mërkurën, ku thuhej se SHBA-të nuk do ta përkrahin transformimin e FSK-së, pa ndryshim të kushtetueses.

 

“SHBA beson se siguria e Kosovës varet nga kualiteti i partneriteteve të saj. Ne nuk duam ta shohim Kosovën të pakoordinuar me partnerët kyç të saj” ka shkruar Delawie në Twitter.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se do të dorëhiqet nga pozita e tij nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton projektligjin që e transformon FSK-në në ushtri të Kosovës.

Ai këtë zotim e ka dhënë gjatë emisionit Debat të RTK-së.

Thaçi ka thënë se ushtria e Kosovës do të bëhet “në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtare.”

“Kanë qenë të konsultuar dhe të informuar për të gjithë procesin. Më herët janë informuar dhe konsultuar edhe partnerët e koalicionit dhe Kryetari të Kuvendit. Gjithçka është ligjore”, ka thënë presidenti. /Insajderi.com