Ambasadori amerikan: Investimet e huaja e kanë një kusht

Ambasadori amerikan: Investimet e huaja e kanë një kusht

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Greg Delawie, ka marrë pjesë në tryezën me temën “Rëndësia e parandalimit të korrupsionit në zhvillimin ekonomik”, e cila është organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Me këtë rast, Delawie ka bërë thirrje për bashkëpunimin e të gjithëve në Kosovë për ta luftuar korrupsionin dhe për të pasur një ekonomi të shëndoshë dhe investime të huaja.

Delawie ka deklaruar se pa investime nuk ka punësim.

“Prej se e kam marrë pozitën e kam pas mision luftimin e korrupsionit. Ne vazhdimisht po mundohemi përmes mekanizmave tonë t’i vetëdijesojmë qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë më shumë në këtë drejtim për të pasur një ekonomi të shëndoshë, investime të huaja sepse pa investime nuk ka as punësim”, ka deklaruar Delawie.

Ndërsa, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se duhet guxim për të raportuar dhe guxim për të gjykuar përderisa prokurimin publik e sheh si vatër të korrupsionit.

“Fatkeqësisht termi korrupsion është bërë term kyç kur përmendet Kosova. Neve na duhet të marrim masa në rregullimin e prokurimit publik. Kemi të dhëna alarmante për parregullsitë në prokurimin publik”, është shprehur Jahjaga.