Ambasadori amerikan dënon dhunën ndaj Ollurit dhe Zogajt

Ambasadori amerikan dënon dhunën ndaj Ollurit dhe Zogajt

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka dënuar sulmet e djeshme ndaj Sokol Zogajt, drejtor i burgjeve të Kosovës, dhe drejtorit të Insajderit, Parim Olluri.

Në një intervistë për Klan Kosovën, Delawie ka thënë se Kosova ka pasur mjaft dhunë në të kaluarën dhe se këto sulme janë kundër sundimit të ligjit dhe lirisë së medieve.

“I dënoj të dyja sulmet – edhe kundër gazetarit Parim Olluri, edhe kundër ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogajt”, ka thënë ai.

“Dhuna nuk duhet të jetë pjesë e jetës politike të Kosovës. Kosova ka pasur mjaft dhunë. Të gjithë kosovarët kanë të drejtë dhe e meritojnë që të jetojnë të lirë, qofshin ata gazetarë, punëtorë publikë apo të tjerë”, ka shtuar diplomati amerikan.

“Këto dy sulme janë kundër sundimit të ligjit dhe kundër lirisë së mediave, dy fusha që unë i mbështes shumë. Prandaj i dënoj shumë ashpër”.

Drejtori i Insajderit, Parim Olluri, është sulmuar mbrëmë nga disa persona teksa po kthehej në shtëpi rreth orës 22, kurse Sokol Zogaj është sulmuar afër banesës së tij në orët e paradites.