Ambasada turke ia komplikon qeverisë kërkimin e gylenistëve

Ambasada turke ia komplikon qeverisë kërkimin e gylenistëve

Familjarët e gjashtë gylenistëve të arrestuar dje nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar një takim sot me Avni Arifin, shefi i kabinetit të kryeministrit, Ramush Haradinajt, raporton Insajderi.

Leutrim  Syla, avokati i gjashtë gylenistëve si dhe familjarët e tyre shprehen të bindur se Kosova nuk ka deportuar ende gylenistët. Sipas tyre ata gjendën në njërin prej dy lokacioneve; në Aeroportin “Adem Jashari” ose në ambasadën turke në Prishtinë.

Përderisa verifikimi nëse gjendën në Aeroportin e Prishtinës ka qenë i lehtë dhe rezultati ka dal se gjashtë gylenistët nuk gjenden aty, kontrollimi në ambasadën turke është i komplikuar.

“Në takim me  Zyrën e Kryeministri na thanë që janë të deportuar, ndërsa ne kërkuam fakte për këtë qoftë ato vetëm edhe kamerat e aeroportit që ata janë duke hipur në aeroplan. Por nuk kanë asnjë provë që ata janë deportuar”.

“Burime jo zyrtare shumë të besuara prej zyrës së cilës edhe funksionojnë kolegët edhe nga ambasada prej simpatizantëve tjera thuhet se ata janë të sigurt se të gjashtit gjenden ose në aeroport ose në ambasadë. Në aeroport është thënë se është kërkuar por se nuk është gjendur asgjë”, ka thënë Syla për Insajderin.

Sipas Sylës në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit dhënë familjarëve kërkimi në ambasadën turke përmban procedura të komplikuara.

“Ne kërkuam përse nuk po bëni një kërkim ata thanë që ne do ta shohim mënyrën se si të bëjmë rreth procedurave me pas qasje edhe për ambasadë, ndërsa në aeroport thanë kemi kontrolluar nuk kemi gjetur asgjë. Në ambasadë të Turqisë thanë se janë disa procedura më të komplikuara, por që do ta shikojmë”, ka thënë Syla.

Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, janë gjashtë personat e arrestuar dje nga Policia e Kosovës që nuk dihet ende nëse janë deportuar nga Kosova për në Turqi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli janë distancuar nga arrestimi i tyre. Lidhur me këtë rast kryeministri ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe Drejtorit të Agjenicsë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi./Insajderi.com