Ambasada gjermane: Partitë të shpenzojnë më pak energji për shpifje

Ambasada gjermane: Partitë të shpenzojnë më pak energji për shpifje

Ambasada gjermane ka këshilluar partitë politike që të shpenzojnë më pak energji për shpifje ndaj kundërshtarit përkatës politik dhe më shumë energji për kompromise konstruktive të pranueshme.

“Më pak energji për shpifje ndaj kundërshtarit përkatës politik dhe më shumë energji për kompromise konstruktive të pranueshme”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së gjermane në Kosovë për Telegrafin.

Më tutje ambasada Gjermane ka theksuar nevojën për themelim të sa më shpejt të institucioneve të Kosovës.

“Kosova po përballet me shumë sfida urgjente. Trajtimi i tyre kërkon një qeveri funksionale. Ne shpresojmë që institucionet të themelohen së shpejti pasi që Kosova nuk ka kohë për të humbur”.

“Në një demokraci parlamentare, përfaqësuesit e zgjedhur kanë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre. Ata duhet të përkthejnë rezultatet e zgjedhjeve në një shumicë parlamentare konstruktive”.

Në pyetjen se cili do të jetë roli i ambasadës gjermane për krijimin e institucioneve në Kosovë, kjo ambasadë ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës e kanë sjellë këtë krizë dhe ata janë përgjegjës për ta tejkaluar atë.

“Janë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës ata që kanë sjellë këtë krizë dhe duhet të jenë përgjegjës për të gjetur një rrugë për ecur përpara. Gjermania do të punojë me çdo qeveri që përfaqëson shumicën në Parlament. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën dhe qytetarët e saj drejt një të ardhmeje të begatë në Evropë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.