“Ambasada është zhgënjyer” – Reagimi i SHBA-ve për demarkacionin

“Ambasada është zhgënjyer” – Reagimi i SHBA-ve për demarkacionin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë përmes një deklarate për media është shprehur e zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para Komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane, duke thënë se pohimet e këtij komisioni janë të pabazuara, çorientuese dhe të gabueshme.

“Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974″, ka thënë Ambasada e SHBA-ve.

“Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”, thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane iu bën thirrje institucioneve të Kosovës që të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve në këtë çështje, duke thënë se politikanët e Kosovës duhet të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe të përqendrohen në nevojat e qytetarëve duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejt që është e mundur.