Ambasada e SHBA-ve reagon pas ricertifikimit të kandidatëve të diskualifikuar

Ambasada e SHBA-ve reagon pas ricertifikimit të kandidatëve të diskualifikuar

Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e zhgënjyer me ricertifikimin e kandidatëve të diskualifikuar më parë nga gara zgjedhore lokale.

“Na vjen keq që rezultati i këtij vendimi zhbën punën e shkëlqyeshme të KQZ-së dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të zbatuar ndalesën e paraparë me Ligjin për Zgjedhje për moslejimin e kandidimit të kandidatëve të dënuar për vepër penale”, thuhet në deklarimin e Ambasadës amerikane, pas vendimit të Gjykatës Supreme për ricertifikimin e kandidatëve.

“Vazhdojmë të mbështesim frymën dhe qëllimin e asaj dispozite të Ligjit për Zgjedhje. Ftojmë institucionet përkatëse shtetërore që të korrigjojnë çdo paqartësi ligjore lidhur më këtë dispozitë para ciklit të ardhshëm zgjedhor në Kosovë. Besojmë që votuesit kërkojnë kandidatë të panjollosur nga krimi”.

Pas vendimit të marrë nga Supremja, KQZ ka vendosur që të ricertifikojë 89 kandidatët e diskualifikuar më parë.