Ambasada e Iranit kërkon lirimin e Hasan Azarit

Ambasada e Iranit kërkon lirimin e Hasan Azarit

Ambasada e Iranit në Shqipëri ka kërkuar lirimin nga aktakuza të Hasan Azari Bejadi, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për dyshime se ka financuar terrorizmin në Kosovë.

Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri ka lëshuar një deklaratë për shtyp ku kërkon lirimin e shtetasit iranian H.A.B., i arrestuar në Kosovë si i dyshuar për katër vepra penale për pastrimi të parave dhe financim të terrorizmit.

Sipas tyre, Bejandi ka vepruar në Kosovë në pajtim të plotë me ligjet e vendit.

Historia e iranianit që akuzohet për financim të terrorizmit në Kosovë

“Personi në fjalë ka drejtuar një organizatë jo fitimprurëse të themeluar më parë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe thelbi i pranisë dhe  veprimtarisë së saj ka qenë krejtësisht transparent dhe bazuar në  rregullat e vendit”, thuhet në këtë deklaratë.

“Për këtë arsye, vitin e kaluar, gjykata pasi dëgjoi mbrojtjen e personit në fjalë i zgjati atij lejen e veprimtarisë dhe të qëndrimit”.

Ambasada iraniane beson fuqishëm se pas shqyrtimit të mëtutjeshëm të rastit akuzat do të dalin të pambështetura.

“Shpresojmë që institucionet e nderuara të drejtësisë së Kosovës në vijim të  procesit të gjykimit, pas një shqyrtimi më të saktë dhe më të plotë, të deklarojnë të pabaza akuzat e bëra, në mënyrë që të mos lejojnë krijimin e dyshimeve dhe  zërave të pavërtetë nga ana e qarqeve dashakeqe”.

Republika e Iranit në deklaratë përmend se vet shteti i tyre ka qenë cak i terrorizmit dhe se “terrorizmi nuk njeh kufi, komb, fe dhe gjeografi” dhe për ta mposhtur këtë të keqe globale “duhet të thahen rrënjët e tij, thënë ndryshe mentaliteti ekstremist tekfirist  i cili me padrejtë i serviret botës si islami i vërtetë”. /Insajderi.com