Ambasada amerikane bën thirrje për zgjedhje demokratike

Ambasada amerikane bën thirrje për zgjedhje demokratike

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një deklarate ka ritheksuar thirrjet drejtuar të gjithë kandidatëve politikë, që të përkushtohen për zgjedhje të lira, kredibile dhe të qeta.

“Në këto zgjedhje, ne do t’i ndihmojmë Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane duke vendosur ekipe vëzhguese anekënd vendit në ditën e votimit”, thuhet në deklaratë.

“Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime kredibile lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politikë, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre mekanizmave”, vijon deklarata.

“Presim që të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe ata që aspirojnë të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës të ngrisin zërin fuqishëm kundër sjelljeve të tilla. Ne përkrahim të gjitha përpjekjet e Task Forcës Zgjedhore dhe të Policisë së Kosovës në hetimin e çfarëdo raporti të tillë”, thekson deklarata amerikane.

Më tutje, Ambasada amerikane nënvizon se qytetarët meritojnë një proces të hapur dhe transparent zgjedhor, ku të gjithë kandidatët kanë të drejt të dëgjohen nga votuesit, njofton rel.

Ambasada shpreson që kandidatët do t’u përmbahen këtyre standardeve përgjatë gjithë periudhës së fushatës dhe “votuesit do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votojnë dhe të zgjedhin me vëmendje ata kandidatë të cilët më së miri do ti përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit i cili synon të vazhdojë drejt rrugës së integrimeve Euro-Atlantike”.