Aliu: Ferizaj do ta ketë Spitalin e ri rajonal dhe Qendrën diagnostike

Aliu: Ferizaj do ta ketë Spitalin e ri rajonal dhe Qendrën diagnostike

Kandidati për Kryetar të Komunës së Ferizajt nga radhët e PDK-së, Agim Aliu në takimin e mbajtur me mantelbardhët ka theksuar se është e nevojshme të rritet cilësia e shërbimeve shëndetësore, të investojmë në infrastrukturën e kësaj të fundit si dhe kompletimin me pajisjet e nevojshme për t’i mundësuar stafit mjekësor  kushte për punë kurse pacientëve shërbime të shpejta e efikase.

“Gjatë mandatit tim qeverisës, me zotimin edhe të ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, do të përfundohet odisejada e ndërtimit të Spitalit Rajonal të Ferizajt, në ndërkohë, synoj që në kuadër QKMF-së të hap Qendrën Diagnostike, si një projekt i veçantë në dobi të rritjes së cilësisë së shërbimeve për pacientët. Natyrisht, se investimet në këtë fushë do të prekin edhe infrastrukturën dhe pajisjet mjekësore, të cilat synoj t’i përfundoj si investime bazike, dhe poashtu një synim i imi është edhe ndërtimi i tri qendrave të mjekësisë familjare si dhe digjitalizimi i shërbimeve në këtë fushë”, u shpreh kandidati Aliu.

I pyetur nga të pranishmit për zgjidhjen e çështjes së pagesës së pagave nga “Caritas Kosova”, kandidati Aliu theksoi se në mandatin e tij qeverisës, do të krijojnë siguri për pagesat e punëtorëve të angazhuar dhe vazhdim të bashkëpunimit me këtë organizatë.