Alfred Peza, deputeti shqiptar nën hetim për pasurinë dhe konfliktin e interesit

Alfred Peza, deputeti shqiptar nën hetim për pasurinë dhe konfliktin e interesit

Për deputetin e Partisë Socialiste, Alfred Peza, janë hapur hetimet për origjinën e pasurisë 100 milionë lekë dhe për konflikt të mundshëm interesi.

Hetimet kanë filluar pasi bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, u shfaq si aksionare e Bankës Credins.

Inspektorati njoftoi nisjen e hetimeve pas publikimit në media të një kontrate të nënshkruar në mars të vitit 2015 mes Aleksandër Pilo dhe Mirela Ndini, në të cilën Pilo i shiti Ndinit një për qind të aksioneve të Banka Credins SH.A kundrejt një shume prej 113 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro), shkruan reporter.al.

Ai ka deklaruar pas publikimit të lajmit se paratë për blerjen e aksioneve janë kursime të familjes së tij dhe se janë deklaruar prej tij në deklaratën e pasurisë në ditën kur ai u shpall deputet i kuvendit.

Peza këmbëngul se paratë e blerjes së aksioneve janë të ligjshme. Pas publikimit të lajmit të hapjes së hetimeve, ai shkroi në Facebook se mirëpret kontrollin e plotë rreth pasurisë

“Mirëpres kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ që ILDKP ka nisur sot në lidhje me pasurinë e familjes time”, ka shtuar ai.

Për këtë patën deklaruar edhe deputetë e Partisë Demokratike duke e konsideruar këtë si një skandal dhe pasqyrë të nivelit të lartë të korrupsionit.

Alfred Peza, është ish-gazetar me karrierë të gjatë në media shqiptare ndërsa në vitin 2013 u zgjodh deputet nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.

Banka Credins është aktualisht një nga dy bankat e vetme me kapital kryesisht shqiptar në Shqipëri. Sipas të dhënave mbi aksionarët e kësaj banke të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Ndini bleu afro 523 mijë aksione ose 1 për qind të aksioneve të bankës me vlerë nominale prej 54 milionë lekësh nga Aleksandër Pilo, një nga aksionarët më të hershëm të bankës.

Kontrata e transferimit, e publikuar në prill 2015 në QKB, tregon se këto aksione u blenë nga Ndini për 113 milionë lekë.

Që nga prilli i vitit 2015, Banka Credins ka ndërmarrë disa herë rritje të kapitalit aksionar përmes mos shpërndarjes së fitimeve apo përmes emetimit të kuotave të reja të aksioneve. Aktualisht Ndini disponon 0.79 për qind të aksioneve të bankës.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk mund të kenë interesa në kompani që ka “veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Mbetet për t’u parë nëse aktiviteti i zakonshëm i Bankës Credins bie apo jo në këtë klauzolë të Kushtetutës./reporter.al