“Albini është kryetar i VV-së por jo më i imi” – Intervistë me Shqipe Pantinën

“Albini është kryetar i VV-së por jo më i imi” – Intervistë me Shqipe Pantinën

Zgjedhja e Albin Kurtit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk po del se do t’i shuaj zërat kundërshtues brenda partisë. Madje për deputeten Shqipe Pantina, duket se nuk do të luaj rol as negocimi me Shpend Ahmetin e Glauk Konjufcën si të përzgjedhurit e partisë për të folur me të dorëhequrit nga postet dhe krahut të Albin Kurtit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina ka thënë në një intervistë për Insajderin se zgjidhja e Kurtit në krye të VV-së pothuajse ia pamundëson qëndrimin asaj në këtë parti.

Ajo ka thënë se fillimisht zgjedhjet në VV janë krijuar në një formë ku nuk kanë lënë hapësirë për askënd që mendon ndryshe. Sipas saj çdo kush që shpallte kandidaturën kundër Kurtit shpallej armik i Vetëvendosjes.

Ajo ka thënë se është duke u biseduar për një zgjidhje mes Konjufcës dhe Ahmetit por sipas saj gjasat janë minimale për gjetjen e një zgjidhje. Ajo ka thënë se mendon që rrugëtimin politik të të gjithë  anëtarëve që kanë dhënë dorëheqje duhet të vazhdojë së bashku nëse nuk gjendet një zgjidhje në Vetëvendosje. Por ajo ka shtuar se për një gjë të tillë nuk është diskutuar ende.

Insajderi.com: Si i vlerësoni zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes nga ku Albin Kurti ka dalë si kryetar i ri i këtij subjektit politik?

Shqipe Pantina: Proceduralisht zgjedhjet kanë qenë të organizuara mirë me aq sa kam pa, unë vetë nuk kam dalë në zgjedhje, por për mua i gjithë procesi – sepse zgjedhjet nuk janë vetëm dita kur votohet – ka shkuar në një frymë jodemokratike duke mos lënë hapësirë për këdo tjetër që mendon ndryshe apo që merr guximin vetëm ta kritikojë Albinin. Fryma e krijuar që kushdo që është kundër Albin Kurtit është armik i Vetëvendosje, pra jo kundërkandidat i Albinit por armik i Vetëvendosjes, është ndërtuar me një fushatë jo vetëm në rrjetet sociale por edhe mes aktivistëve, që e kanë bërë të pamundur për këdo tjetër që t’i futet garës dhe si e tillë unë e konsiderojë që nuk ka pasur hapësirë për një konkurrencë të mirëfilltë brenda Lëvizjes Vetëvendosjes.

Insajderi.com: Pra kjo ka qenë edhe arsyeja përse ju nuk keni dalë në zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes?

Po, unë nuk kam dalë në zgjedhje për shumë arsye E para, për mënyrën se si janë shpallur zgjedhjet, duke u  shpallur vetëm për kryetar dhe jo për nivele të tjera. Afati i fundit për t’i organizuar zgjedhjet ka qenë në fund të shkurtit. Nuk e kuptoj asnjëherë motivin që ato të shpallen në kohën sa Albini ishte në burg. Po ashtu nuk e kam të qartë përse Kurti vendoste ta shpallte kandidaturën në burg dhe nuk priti të dilte dhe të bisedonte me të parin e atëhershëm, i cili ka dhënë dorëheqje pasi ka dalë Kurti nga burgu dhe anëtarët e tjerë që tashmë haptazi kishin shfaqur pakënaqësitë, për atë se çka po ndodhte në Vetëvendosje. Gjithë kjo nguti për shpalljen e zgjedhjeve, kandidimi nga burgu dhe gjithë fushata e ndërtuar fillimisht kundër Molliqajt e mandej kundër secilit që e kritikon Kurtin. Kushdo tjetër që kritikopi u përballë  me shpifje dhe linçime, ata u cilësuan si grupi i Dardanit dhe u cilësuan “armiqtë” e Vetëvendosjes, e asnjë nga ne nuk jemi armiqtë e VV-së. Secili prej neve ka reaguar karshi këtyre fenomene në Vetëvendosje.

Insajderi.com: A e njihni Albin Kurtin si kryetar të partisë suaj, meqenëse ju vazhdoni të jeni anëtare e Vetëvendosjes?

Shqipe Pantina: Albini mori përkrahjen 30% të anëtarësisë së VV me statutin e Vetëvendosjes me sa e di unë nuk ka një prag zgjedhor që duhet të dalin më shumë se 50%  e anëtarësisë që kryetari të jetë legjitim. Për mua Albin Kurti është kryetar i Vetëvendosjes, por i gjithë procesi që ka ndodhur deri më tash, e bënë të vështirë dhe pothuajse të pamundur qëndrimin tim në Vetëvendosje. Ai mund të vazhdojë të jetë kryetar i Vetëvendosjes, por nuk jam e sigurt se unë do të vazhdojë të jem anëtare e kësaj partie.

Insajderi.com: Kur mund të pritet një qëndrim përfundimtar për pozicionin tuaj dhe të anëtarëve të tjerë të dorëhequr karshi qëndrimit në Vetëvendosje?

Shqipe Pantina: Në mbledhjen e kryesisë dhe grupi parlamentar u angazhuan Shpend Ahmeti dhe Glauk Konjufca që të flasin  me të dorëhequrit që ta gjejnë një zgjidhje. Unë nuk jam takuar me Ahmetin, por kam biseduar shkurt me Konjufcën, në zyrën e grupit parlamentar dhe nga biseda nuk kam parë se ka ndonjë ide apo propozim ndryshe që është diskutuar në mbledhje dhe nuk po shoh se ka ndonjë rrugë apo ide të pranueshme për zgjidhjen e krizës që është në Vetëvendosje dhe natyrisht dhe as unë dhe as të tjerët e dorëhequr nuk do të presim deri në pafundësi. Brenda kësaj jave, nëse Shpendi apo Glauku nuk do të vinë për të biseduar për një zgjidhje konkrete, atëherë nuk mendoj që më mbetet hapësirë apo  rrugë për të vazhduar brenda VV.

Tashmë kanë kaluar 10 ditë nga mbledhja e grupit parlamentar dhe ndonëse nuk ka pasur ndonjë afat por ne kemi thënë që kjo çështje duhet të zgjedhjet shpejt. Albini nuk ka bërë asnjë dorëheqje nga pozitat e tij, ai tashmë është kryetar i Lëvizjes dhe siç thashë nuk kam parë ndonjë interesim tek të përzgjedhurit (Shpend Ahmeti, Glauk Konjufca) ndoshta janë takuar me të tjerët por të paktën unë nuk kam biseduar me ta. Unë mund të pres edhe këtë javë, por nuk besoj se do të pres më gjatë.

Insajderi.com: Cili është plani dhe qëndrimi i anëtarëve të dorëhequr për pozitat në VV për krijimin e një partie të re?

Shqipe Pantina: Të gjithë ne që kemi dhënë dorëheqje nga pozitat në Vetëvendosjes por edhe të atillët që nuk kanë dhënë dorëheqje, por janë jashtëzakonisht të pakënaqur me atë çfarë ka ndodhur dhe po ndodhë, besoj që duhet të takohemi nëse duam që rrugëtimin tonë politik ta bëjmë bashkë apo ta bëjmë ndarasi.

Besoj që rrugëtimi jonë duhet të jetë i përbashkët, ky është qëndrim i imi megjithatë të gjithë duhet të biem dakord për të, deri më tani kemi biseduar se si mund të gjejmë një rrugë një zgjedhje për të qëndruar brenda LVV dhe si ta tejkalojmë këtë krizë por nuk kemi biseduar për të dal dhe çfarë të bëjmë pasi të dalim dhe besoj se nëse nuk gjendet një zgjedhje në VV ne duhet të takohemi, ky është propozimi im që çfarëdo rrugëtimi ta bëjmë së bashku, sigurisht që ne do të mendojmë për krijimin e një subjekti politik, por nuk besojë se do t’i bashkohemi ndonjë partie tjetër. Personalisht unë nuk do t’i bashkohem ndonjë subjekti politik në Kosovë.

Insajderi.com: Pra opsioni i juaj i vetëm është krijimi i një subjekti të ri politik?

Shqipe Pantina: Po, ky është qëndrimi im por jo i të gjithëve sepse siç thashë deri më tani nuk e kemi biseduar ende, sepse ne kemi shpresuar se do ta gjejmë një zgjidhje brenda VV-së. Nëse zgjidhja nuk gjendet që po duket se tashmë është po thuajse e pamundur, përqindja e gjendjes së një zgjidhje është shumë e ulët megjithatë shpresa vdes e fundit dhe përfundimisht nuk gjendet një zgjidhje, unë mendojë që duhet ta vazhdojmë rrugën të përbashkët. Sepse ne ideologjikisht jemi socialdemokrat pra jemi e qendrës së majtë dhe do ishte e arsyeshme që të vazhdojmë bashkë por natyrisht të ulemi dhe të bisedojmë për formimin e krijimit të subjektit të ri./Insajderi.com