Albin Kurti reagon për sulmin e SHBA-ve në Siri

Albin Kurti reagon për sulmin e SHBA-ve në Siri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës, në Siri pas përdorimit të armëve kimike ndaj popullit sirian nga Bashar Al-Assadi, shkruan Insajderi.

Kurti ka thënë se dëshiron paqe dhe nuk i gëzohet asnjë lufte, por që sipas ti agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund ta lërë boten indiferente, me theks të veçantë Kosovën që e ka pësuar nga një agresor i tillë.

“Duam paqen, e nuk gëzohemi për asnjë luftë, mirëpo agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos neve që e kemi parë e pësuar vetë, në Kosovën tonë. Dëshira jonë do të ishte zgjidhja përmes rrugëve paqësore, përmes diskutimit e bashkëpunimit, por etja e diktatorëve për pushtet nuk i lejon këto. Prandaj ishte e nevojshme ndërhyrja, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Ai më tej ka thënë se shpreson që sa më shpejt të përfundojë katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme, duke pasur sa më pak viktima.

“Urojmë që të marrë fund sa më shpejt katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme, dhe shpresojmë, me sa më pak viktima. Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikëbërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë”, ka përfunduar Kurti./Insajderi.com