Albin Kurti që nga sot fillon fushatën si kandidati i vetëm për kryetar të VV-së

Albin Kurti që nga sot fillon fushatën si kandidati i vetëm për kryetar të VV-së

Që nga sot kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizës Vetëvendosje, Albin Kurti do të fillojë fushatën e zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt politik. Këshilli Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur së mbrëmë ka përfunduar afati i dorëzimi të kandidaturave për kryetar të kësaj lëvizje. Ku kandidat i vetëm është Albin Kurti.

“Nga dita e sotme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka shpallur të hapur fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku kandidati Albin Kurti do të paraqesë platformën e tij për mandatin e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Fushata e zgjedhjeve të brendshme do të mbyllet 24 orë para ditës së votimit”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Më tej është treguar se në këtë Komision nuk është dorëzuar ndonjë kërkesë për të kërkuar shtyrje afati, duke theksuar se është konstatuar se deputeti Albin Kurti ka qenë kandidati që ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për kandidimin si kryetar i VV-së.

Aty më tutje thuhet se marrë parasysh Statutin dhe Rregulloret, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm ka caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të VV-së të dielën, më 21 janar 2018.

“Sipas parimit një anëtar – një votë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit nëpër vendvotimet që do të hapen brenda dhe jashtë Kosove të dielën më 21 janar, duke shprehur vullnetin e tyre – ‘për’, ‘kundër’, ose ‘abstenim’ – në lidhje me kandidaturën e Albin Kurtit si kryetar i VV-së”, është thënë në njoftimin e VV-së.

Ata kanë njoftuar se këtë praktikë normale votimi kjo lëvizje e ka ndjekur edhe në shumë procese të tjera të zgjedhjeve të brendshme.

“Fushata e zgjedhjeve të brendshme do të mbyllet 24 orë para ditës së votimit. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i bën thirrje të gjithë anëtarëve të përfshihen në diskutimet dhe aktivitetet që do të mbahen në ditët në vijim gjatë fushatës së zgjedhjeve të brendshme për kryetar të VV-së për fuqizimin e mëtejshëm të praktikave të demokracisë së brendshme që tashmë e kanë etabluar VV-në si subjektin politik më demokratik në Republikën e Kosovës”, thuhet në sqarimin e bërë për media nga kjo lëvizje.