Albin Kurti premton arsim të lartë pa pagesë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti ka premtuar arsim të lartë pa pagesë për studentët, derisa ka kërkuar nga KQZ-ja që t'i japë të drejtë vote edhe të rinjve në moshë 16 vjeçe.

Albin Kurti premton arsim të lartë pa pagesë

Lëvizja Vetëvendosje në tubimin mobilizues me të rejat dhe të rinjtë votues për herë të parë theksoi domosdoshmërinë e angazhimit të këtyre gjeneratave në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në këtë tubim, kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti deklaroi se “rinia ka më së shumti interes për ndryshimet për shkak se rinia është gjithnjë e ndryshme dhe përshkak se rinia do të jetë më së gjati këtej pari”.

Kurti ritheksoi karakterin social-demokrat të Vetëvendosjes, sipas të cilës konkurenca nuk duhet të jetë vlera e vetme në shoqëri, por duhet t’ia shtojnë përkrah edhe vlerën e bashkëpunimit.

Më pas, ai foli për ndarjen mes lirisë negative si një liri prej arbitraritetit të një pushteti dhe lirisë pozitive që përmes arsimimit cilësor ia mundëson qytetarëve zgjedhjet e duhura në jetë dhe qëndrimet e menduara mire.

“Prandaj, kandidati për kryeministër, Albin Kurti premton arsimin e lartë pa pagesë në shërbim të kësaj lirie. Kurti foli gjithashtu për domosdoshmërinë e lidhjes së dijes teorike me atë praktikë, të arsimit me ekonominë, dhe të studentëve me nevojat e vendit”, njofton VV-ja përmes një komunikate.

Kurti përmendi gjithashtu faktin se në Kosovë jetojnë më shumë se gjysëm milioni të rinj që janë nën moshën 16 vjeçare.

Për Kurtin, që demokracia të jetë sa më e vërtetë “atëherë pragu i të drejtës së votës duhet ulur në 16 vjet”. /Insajderi.com